Kryebashkiaku i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar mbrëmjen e djeshme se ka firmosur një shkresë, e cila mundëson transport falas për të gjithë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nesër, më 17 Tetor do të protestojnë në Tiranë për burgosjen e Thaçit dhe të tjerëve.
“Sot kam nënshkruar vendimin për të siguruar transportin për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që do të marrin pjesë në protestën gjithëkombëtare më 17 tetor në Tiranë”, njoftoi Përparim Rama.
Me këtë vendim, kryebashkiaku i LDK-së që është në balotazh dhe për një mandat të dytë, ka ndezur një debat të fortë në Prishtinë, kryesisht me Vetëvendosjen e Albin Kurtit dhe mbështetësit e këtij të fundit, të cilët kanë sulmuar kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, për protestën që organizohet në Tiranë.
Megjithatë, qytetarët e thjeshtë e kanë përshëndetur vendimin, duke thënë se gjithë kombi shqiptar i nderon veteranët, familjet e tyre dhe dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Protesta do zhvillohet nesër, datë 17 Tetor ora 17:00, në Tiranë te Sheshi Skënderbej.
“Veteranët tanë nuk janë pjesë vetëm e së kaluarës por janë pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare dhe Prishtina, si kryeqytet i Kosovës, do të mbetet shembull i respektit institucional, i kulturës politike dhe i mirënjohjes publike.
Me nderim të thellë për të gjithë veteranët, për familjet e dëshmorëve dhe për të gjithë ata që e mbajnë ende gjallë kujtesën e lirisë sonë, shihemi në Tiranë. Ju takon respekti i një kombi të tërë”, vijon më tej kryebashkiaku i Prishtinës.
Kjo klimë e ndezur reflektohet dhe në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje – partia e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti – i cili shënjestroi direkt kryeministrin Edi Rama dhe thotë se në vitin 2015 ai ka udhëtuar me helikopter drejt Kosovës për të bindur politikën atje të votonte ngritjen e Gjykatës Speciale, gjykata që po mban sot në paraburgim çlirimtarët.
“Reflektimi nuk është gabim, por në këtë drejtim shumë nga ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj. Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën.
Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate”, thuhet ndër të tjera në reagim.
- “S’u paraqit 3 muaj në detyrë!”/ Qeveria i çon Kushtetueses dokumentet për shkarkimin e Veliajt: Të ankimonte te Administrativja, jo te ju… - 16/10/2025
- Do të dal në protestë edhe për ty Albin Kurti, që të mos koritesh! - 16/10/2025
- Nasim Haradinaj: Është fyerje të krahasohet Edi Rama me Albin Kurtin - 16/10/2025