Është përkujtuar sot lindja e ish-kryeministrit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Sulejman Delvina.
Drejtoria e Arkivave ka përcjellë në rrjetet sociale informalicionet për veprën e Sulejman Delvinës i cili lindi më 5 tetor të vitit 1871, në Delvinë.
Ai ishte patriot, mësues, politikan dhe veprimtar i çështjes kombëtare.
Mësimet e para i ndoqi në vendlindje dhe më pas studimet e larta në Stamboll. Mbajti disa poste të rëndësishme brenda administratës osmane deri në vitin 1911, kur kundërshtoi hapur politikën xhonturke dhe politikën ekspasioniste të vendeve fqinje kundrejt territoreve shqiptare.
U zgjodh një nga përfaqësuesit e kolonisë së Stambollit në Konferencën e Paqes në Paris më 1919-ën. Pas Kongresit të Lushnjës, Sulejman Delvina u emërua kryeministër i qeverisë.
Në këtë post u përball me probleme të shumta, në mënyrë të veçantë me çështjet e kufijve dhe me çështjen e Vlorës, në lidhje me të cilën firmosi protokollin italo-shqiptar për zbrazjen e qytetit dhe të rrethinave të tij nga italianët.
Mbështeti Lëvizjen e Qershorit dhe u caktua në krye të Ministrisë së Jashtme në qeverinë e Nolit. Pas dështimit të Lëvizjes, u largua nga vendi për t’u rikthyer më 1928. U nda nga jeta më 1 gusht 1933, në Vlorë.