16.5 C
Tirana
06 / 11 / 2025

Përbaltja e të vdekurit

Nga Çapajev Gjokutaj

Përcjellja mortore e Fatos Nanos të shtyn të meditosh për problemet që ka ligjërimi ynë publik mbi vdekjen. Siç është e kuptueshme në mediat tradicionale mbizotroi nderimi dhe respekti për kryetarin historik të PS-së.

Nuk munguan dhe qasje që,  krahas vlerësimit flisnin edhe për anë negative,  po përgjithësisht ruhej sensi i masës, shamgeshin ironia, sarkazma dhe qasje të tjera denigruese. Respektohej kështu jo vetëm i porsaikuri por edhe famillja, komuniteti i tij politik etj.

Në rrjete sociale krahas qendrimeve panegjirike mbizotruan (ose u krijua përshtypja se mbizotronin), qasjet me etikë të dobët, madje edhe të munguar.

U përsërit kështu një dukuri e njohur: vdekja e një figure publike shpesh kthehet në fushë përplasjesh, përçmimi dhe konsumimi emocional, në vend që të shërbejë si moment solemniteti dhe njerëzillëku.

Ky fenomen nuk është i ri, por mënyra se si ndodh sot (jo më në mjediset tradicionale, po në hapësirën e rrjeteve sociale), dëshmon një transformim të thellë kulturor: rituali po zëvendësohet nga algoritmi, kurse kujtesa nga reagimi spontan dhe i atypëratyshëm.

2.

Në shoqëritë tradicionale përgojimi i të vdekurit ka ekzistuar si prirje e nënkuptuar, veçanërisht kur i ndjeri i përkiste “palës tjetër”: kundërshtar politik, rival familjar apo hasëm në gjak.

Gjithsesi kjo prirje mbahej nën kontrollin e një etike të gjithëpranuar, ku rituali, frazeologjia dhe heshtja luanin rol frenues. Përgojimi edhe kur hasej, ndodhte në ambiente të mbyllura si kafene, odë, grumbullim dhe nuk shndërrohej në ligjërim  publik.

Edhe kur flitej keq për të ndjerin, përdorej një gjuhë e koduar, shpesh me ironi të heshtur. Shprehje si “I ndjeri kishte mendjen e vet…” mund të nënkuptonin gjykim e kritikë, por ruanin respektin për të ikurin.

Pothuajsr kudo në gegëri e në toskëri ekzistonte dhe respektohej parimi se për të vdekurin nuk flitet keq, të paktën jo publikisht dhe jo menjëherë pas vdekjes.

Kjo normë nuk ishte thjesht etike, por edhe rituale: vdekja kërkonte një hapësirë të shenjtë reflektimi. Pra, përgojimi ekzistonte, por nën një regjim të heshtjes dhe solemnitetit, ku rituali e frenonte impulsin dhe komuniteti e kanalizonte fjalën përmes kodeve të zakonit.

3.

Në epokën dixhitale, kjo qasje ngjan të jetë shpërbërë. Rrjetet sociale kanë shndërruar ligjërimin për  të vdekurit nga pëshpëritje në ligjërim publik të pakontrolluar, ku çdo individ flet në publik, pa filtra etikë, pa redaktim, pa rit e zakon. Komentet, postimet, reagimet bëhen në kohë reale, pa asnjë ndalesë për reflektim.

Rrjedhimisht vdekja e figurave publike bëhet ngjarje virale, ku përkujtimi, përçmimi, ironia dhe glorifikimi përplasen në një hapësirë të përbashkët, por tejet të fragmentuar. Nuk ka më “heshtje mortore”, por zhurmë e gjullurdi rrjetesh sociale.

Algoritmet favorizojnë ekstremet: postimet më të ndjera, më agresive madje edhe më të çuditshme klikohen e shpërndahen më shumë. Krijohet kështu një “rit bashkëkohor i vdekjes” i drejtuar nga klikimet, jo nga solemniteti. Kujtesa nuk ndërtohet më me etikë, por me reagim të menjëhershëm dhe shpesh të pakontrolluar as nga skrupujt individualë.

4.

Përgojim publik i personaliteteve të porsaikura bëhet më i fortë edhe ngaqë ndodh në një kohë që shenjohet dukshëm nga kriza e autoritetit: figurat publike nuk gëzojnë më status të padiskutueshëm.

Është kjo një dukuri thuajse e përbotshme, por tek ne bëhet edhe më vepruese nga politizimi ekstrem, konfliktualiteti ekstrem, korrupsioni endemik e të tjerë faktorë që krijojnë një klimë ku s’mbetet personalitet pa u përfolur e përbaltur.

Vdekja nuk i shpëton dot gjykimit të rrjeteve. Institucionet nuk kanë më monopolin e kujtesës. Homazhet zyrtare sfidohen nga komentet e përdoruesve, ku çdo individ që reagon bëhet “kronikan i vetvetes”.  Narrativa zyrtare sfidohet nga komentuesit, shpesh me gjuhë të ashpër, teori konspirative, ose përçmim të hapur.

Në këtë klimë vdekja ka prirjen të pushojë së qeni e shenjtë dhe të shfaqet  e përbaltur. Ky transformim nuk është thjesht mungesë respekti. Është shenjë e një ndryshimi të thellë kulturor, ku rituali është zëvendësuar nga algoritmi, dhe kujtesa nga reagimi i kontrolluar dhe i vetkontrolluar dobët.

Dukuri e përbaltjes së të vdekurit mund të jetë e justifikuar formalisht nga këto ndryshime teknologjike e kulturore, por nëse opinioni i shëndoshë publik nuk do të fuqizohet, përbaltja e të vdekurit nuk do të jetë më përjashtim, por normë e heshtur e sanksionuar nga algoritmi që do thellojë mbizotrimin e kompjuterikes dhe venitjen e njerëzores.

Thuhet se çdo gjë riprodhon vetveten: misri bën misër, gomari gomarë, njeriu njerëz dhe roboti robotë…

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x