18.5 C
Tirana
27 / 07 / 2024

Paradoksi i dëshirës

Nga Leart Kola

“Paradoksi i Dëshirës” është një fenomen psikologjik i eksploruar shumë, sidomos nga filozofi dhe psikanalisti i famshëm slloven Slavoj Zizek. Ky mendim psikoanalitik vërtitet rreth idesë që plotësimi i një dëshire nuk të garanton detyrimisht një kënaqësi fundore; përkundrazi, ajo, dëshira pra, e cila është e ndërlidhur me një vizion fantastik dhe një imazh të idealizuar, shpërbehet kur dëshira aktualizohet.

Realiteti e zhvesh atë nga fantazia, duke i dhënë subjektit, që e kishte këtë deshirë një ndjesi zhgënjimi dhe boshllëku.
Në thelb, ‘rendja” drejt dëshirës përfshin një amulli komplekse ndjenjash tek qenia njerëzore; ajo ndërlidhet mes simbolikës (fantazi, idealizëm) dhe reales (Aktualiteti, shoqëror politik, etj).

Plotësimi i dëshirës e përball individin me faktin që realiteti është i limituar, duke e shkatërruar kështu iluzionin idealist imagjinativ, që dëshira e shumë dëshiruar, ajo idealistja, të mbetet vetëm një iluzion. Për arsye të hapësirës së limituar të këtij artikulli, për fat të keq nuk mund të zgjatem në këtë shpjegim, por për këdo që ka interes të thellohet më shumë, Lacan dhe Freud janë dy emra që bëjnë për ju.

‘Paradoksi i Dëshirës’ në kuptimin politik (që është dhe arsyeja kryesore e këtij artikulli) mund të shihet në lëvizjet shoqërore që premtojnë ndryshim politik. Qytetarët janë të sinqertë kur dëshirojnë një ndryshim regjimesh (apo dhe më lehtë qeverish) duke përdorur slogane të një shoqërie të drejtë gati utopike, por kur ndryshimi i regjimit ndodh në mënyrë faktike, dhe regjimi i ri detyrohet të operojë mbi kompromisin e realpolitikës, versioni ideal i sloganeve të sinqerta të fillimit të “Dëshirës për një sistem të ri politik” humb vizionin idealist.

Është kjo hapësirë në mes (gap) mes politikës utopike (fantastike) dhe kompleksitetit të implementimit të realpolitikës (real world) që prodhon ndjesinë e mungesës së pritshmerive dhe deluzionit.

Për t’u kthyer në botën tonë të realpolitikës, pra atë shqiptare, ne kemi pasur një dëshirë, dhe ajo ka qenë të jetuarit në një shoqëri të drejtë, ku si ata që janë të fortë, pra qeveritarë, biznesmen, ashtu edhe ata që janë të dobët, punëtorë, studentë, etj., të ishin të barabartë përpara ligjit (sidomos pasi hoqëm dorë nga utopia e një shoqërie të barabartë).

Kjo dëshirë në gjithë historinë tonë është parë si një fantazi idealiste e cila nuk do realizohej kurrë; kudo flitej për këtë deshirë, në TV, në shkolla, universitete, lagje, kudo flitej për abuzuesin që nuk denohej sepse ishte i pasur apo kishte lidhje dhe simboli, figura përbashkuese e cila merrej si shembull kudo ishte ajo e Sali Berishës.

Ai bëri ’97 dhe nuk e gjeti gjë; bëri Gërdecin e nuk e gjeti gjë; bëri ’21 Janarin e nuk e gjeti gjë; edhe krijimi i drejtësisë së re, prapë krijonte pezm sepse shumica e njerëzve (përfshirë dhe mua) mendonin që kjo deshirë idealiste e të jetuarit në një shoqëri të drejtë do ta kishte gjithmonë pengesën e saj, e cila identifikohet me Saliun, e thënë shkurt, deshira jonë për denimin e krimeve të Saliut ishte imagjinatë fantastike idealiste utopike për një shoqëri të drejtë.

Sot (12.12.2023) SPAK kërkon arrestimin e Sali Berishës dhe kudo ndihet boshllëku i paradoksit të dëshirës, trauma e realizmit të asaj, që ke ëndërruar për një kohë të gjatë, por dhe humbja e iluzionit, që kaq do mjaftonte për ta bërë shoqërinë më të drejtë.

Dita

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x