16.5 C
Tirana
08 / 11 / 2025

Papa Leoni: Inteligjenca artificiale duhet të shërbejë për një humanizëm të ri

Papa Leoni XIV ka bërë thirrje për një “humanizëm të ri në epokën digjitale”, duke paralajmëruar kundër rrezikut që komunikimi të shndërrohet në “një sistem algoritmesh pa ndërgjegje”.

Gjatë një takimi me anëtarët e një qendre formimi në fushën e gazetarisë, ekonomisë dhe komunikimit, Ati i Shenjtë vuri theksin tek rëndësia e lidhjes midis etikës dhe inteligjencës artificiale, si dhe tek roli i mediave për të mbrojtur dinjitetin e njeriut.

“Komunikimi duhet të jetë në shërbim të njerëzve, jo i drejtuar nga algoritme që riprodhojnë pa ndërgjegje mendimet tona, duke i kthyer në të dhëna të ftohta”, tha Papa.

Ai theksoi se edukimi për të jetuar në hapësirat digjitale dhe për të zhvilluar një marrëdhënie kritike me inteligjencën artificiale është thelbësor. 

Sipas tij, pa këtë vetëdije, rrezikohet që teprica e informacionit dhe mungesa e urtësisë të krijojnë forma të reja dehumanizimi dhe manipulimi, ku “gënjeshtra maskohet si e vërtetë dhe shfrytëzimi si kujdes”.

Papa Leoni u bëri thirrje gazetarëve të “informojnë me përgjegjësi” dhe të ndihmojnë qytetarët të dallojnë faktet nga opinionet. Ai shtoi se transparenca, cilësia dhe objektiviteti janë baza për të garantuar të drejtën e qytetarisë për të gjithë popujt.

Në fjalimin e tij, Papa kujtoi edhe mesazhin që kishte dërguar Papa Françesku gjatë qëndrimit në spital në mars 2025, ku theksonte se “fjalët nuk janë kurrë thjesht fjalë – ato janë fakte që ndërtojnë ose shkatërrojnë botën njerëzore”. Ai kishte bërë apel për “çarmatimin e fjalëve, për të çarmatosur mendjet dhe për të çarmatosur botën”.

Sipas Leonit, ekonomia e komunikimit nuk mund të ndahet nga e vërteta.

“Nuk ka humanizëm të vërtetë pa sens kritik dhe pa guximin për të pyetur veten se ku po shkojmë dhe për kë po punojmë”, tha ai.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x