Opereta “Karnavalet” e cilësuar si vlerë e çmuar e repertorit tonë kombëtar është shfaqur këtë fundjavë në teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës, nën interpretimin e shkëlqyer të trupës dhe solistëve të Teatrit të Operës dhe Baletit me regji të artistes së madhe Inva Mula, e cila i dha jetë produksionit me idetë e saj regjisoriale duke rikthyer një nga krijimet më të njohura të babait të saj.
Për regjisoren Inva Mula nuk ka qënë e vështirë nxjerrja nga arkivi i operetës gazmore të kompozuar nga babai i saj, por ka qënë një përgjegjësi për ta risjellë edhe një herë tjetër pas gati një gjysëm shekulli në këtë skenë. Kjo edhe për të mbajtur amanetin e kompozitorit të madh.
Edhe për sopranon Renisa Laçka në rolin e Afrovitit, në Korçë emocionet kanë qënë shumë herë më të forta kjo edhe falë mikpritjes së spektatorit artdashës korçar.
Opereta “Karnavalet”, është pritur mjaft mirë nga artdashësit korçarë që kishin mbushur sallën e teatrit.
Drejtorja e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Abigeila Voshtina nisur nga suksesi i “Karnavaleve” tha se herë pas here trupa e operas do ti rikthehet krijimtarisë së kompozitorëve tanë, pjesë të cilat prej shumë vitesh nuk e kanë parë skenën.
“Karnavalet” arritën këtë sukses edhe falë interpretimit të Orkestrës Simfonike të TKOB-së, dirigjuar mjeshtërisht nga Elda Laro, si dhe Korin e TKOB-së, dirigjuar nga maestro Dritan Lumshi, duke bashkëpunuar edhe me Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura.
Kjo operetë e shkruar nga Avni Mula, e vënë në skenë për herë të parë më 5 shkurt 1978, vjen 45 vite më vonë, në përkujtim të 95-vjetorit të lindjes së kompozitorit.
kompozitorit.