Në kohën kur në mediat perëndimore diskutohet përfshirja e supozuar e tij në skandalin e snajperëve në Sarajevë, Aleksandar Vuçiç hidhet në veprim për të forcuar pozitat brenda kufijve të vendit të tij.
Mediat në Kosovë raportojnë se ligji për forcat e armatosura të Serbisë do të ndryshohet sipas dëshirës së presidentit, e ndryshime personeli do të ketë edhe në polici. Në mesin e protestave që vazhdojnë për më shumë se një vit, duke hedhur edhe më shumë hije mbi presidencën e tij, Vuçiç duket se po tenton të konsolidojë edhe më tej pushtetin.
Qeveria serbe miratoi së fundi një ndryshim në Aktin e Forcave të Armatosura, duke e bërë Aleksandar Vuçicin praktikisht komandant absolut suprem. Amendamenti, i cili pritet të miratohet së shpejti nga parlamenti, përcakton që Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe oficerët e forcave të armatosura, duhet t`i udhëheqin ato në përputhje me ligjin dhe vendimet e presidentit. Versioni aktual i ligjit nuk e përmendte presidentin në këtë kontekst.
Sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Serbisë, Presidenti ka kompetenca të caktuara kur bëhet fjalë për Ushtrinë Serbe, por titulli i Komandantit të Përgjithshëm nuk përmendet gjëkundi. Sipas analistit ushtarak nga Beogradi, Aleksandar Radiç, ndryshimi i ligjit praktikisht rikthen modelin e viteve 90`, kur Shtabi i Përgjithshëm ishte në varësi të kreut të atëhershëm të shtetit, Slobodan Milloseviç. E kjo nuk vlen vetëm për forcat e armatosura.
Ndryshimet e fundit në personel brenda forcës policore sugjerojnë se tani synohet që edhe ajo të jetë nën kontrollin e plotë të kreut të shtetit.