14.5 C
Tirana
04 / 05 / 2026

Njeriu mes karakterit, virtytit dhe kohës

Nga Dr. Granit Zela

Botimi i “Karaktere, Virtyte, Defekte, Breza” (Characters, Virtues, Defects, Generations), botim i Shtëpisë Botuese Dituria, (2016) i Idajet Sejdiajt paraqitet si një prurje me karakter ndërdisiplinor në fushën e reflektimit mbi natyrën njerëzore, duke ndërthurur elemente të psikologjisë, sociologjisë dhe filozofisë morale.

Këto mbresa leximi përqendrohen së pari, në kornizën konceptuale dhe tematike që strukturon trajtimin e karakterit, virtyteve dhe defekteve; së dyti, në traditën filozofike dhe mbështetjen teorike mbi të cilën mbështetet argumentimi i autorit; së treti, në dimensionin sociologjik dhe edukativ, ku theksohet roli i faktorëve shoqërorë në formimin e individit; së katërti, në analizën e brezave si një perspektivë që lidh zhvillimet individuale me kontekstin historik; dhe, së fundi, në aftësinë komunikuese të tekstit, që e bëjnë këtë vepër të dobishme për një publik të gjerë lexuesish.

Në planin teorik, vepra ndërtohet mbi tri shtylla kryesore: karakteri, virtyti dhe defekti. Autori rikthehet te klasifikimi klasik i temperamenteve (sanguin, melankolik, kolerik, flegmatik), duke e vendosur analizën e tij në një traditë që shkon që nga Hipokrati e deri te mendimi modern psikologjik. Kjo qasje tipologjike nuk mbetet thjesht përshkruese, por shoqërohet me reflektime mbi mënyrën se si këto karakteristika manifestohen në jetën e përditshme dhe në marrëdhëniet shoqërore.

Në trajtimin e virtyteve, autori përzgjedh një korpus vlerash themelore si ndershmëria, drejtësia, kurajoja apo përulësia, duke i konceptuar ato si struktura orientuese të sjelljes njerëzore. Këto virtyte nuk paraqiten në mënyrë abstrakte, por ilustrohen përmes shembujve konkretë, çka i jep analizës një dimension praktik dhe edukativ. Në mënyrë, kapitulli mbi defektet e vendos lexuesin përballë një panorame të plotë të polariteteve që përbëjnë natyrën njerëzore.

Një nga pikat e forta të librit është referimi i vazhdueshëm ndaj traditës filozofike. Autori mbështetet në mendimin e figurave si Platoni, Aristoteli dhe Ciceroni, duke i lidhur konceptet e tij me refleksionet klasike mbi virtytin dhe etikën. Po kështu, përfshirja e perspektivës së Carl Gustav Jung sugjeron një përpjekje për ta aktualizuar analizën në kontekstin e psikologjisë moderne.

Kjo ndërthurje e burimeve klasike dhe moderne krijon një ligjërim që ndonëse nuk synon rigorozitetin e një traktati akademik të mirëfilltë, arrin të ndërtojë një kornizë të qëndrueshme refleksioni, të kuptueshme për një publik më të gjerë.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i veprës është theksi mbi faktorët socialë që ndikojnë në formimin e karakterit: familja, shkolla, shoqëria dhe miqësia. Autori nuk kufizohet në identifikimin teorik të këtyre faktorëve, por problematizon rolin e tyre në realitetin bashkëkohor, duke evidentuar boshllëqet në funksionin edukativ të tyre. Kjo e zhvendos librin nga një analizë thjesht teorike në një reflektim kritik mbi shoqërinë.

Në këtë kontekst, vepra merr një dimension të qartë normativ: ajo synon jo vetëm të shpjegojë, por edhe të nxisë vetëdijen për përgjegjësinë kolektive në formimin e individit. Kapitulli mbi brezat përbën një shtesë interesante në strukturën e librit. Duke u nisur nga një perspektivë historike që daton që nga qytetërimi sumer, autori propozon një ndarje të zhvillimit njerëzor në breza të identifikueshëm, duke u përpjekur të evidentojë tiparet dhe prirjet karakteristike të secilit. Kjo qasje, megjithëse e përmbledhur, i jep librit një dimension temporal dhe e lidh analizën e karakterit me transformimet historike dhe kulturore.

Libri karakterizohet nga një gjuhë e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë. Kjo zgjedhje stilistike është në përputhje me synimin didaktik të autorit: të komunikojë ide komplekse në mënyrë të kuptueshme dhe praktike.

Në përfundim, libri i Idajet Sejdiajt “Karaktere, Virtyte, Defekte, Breza” (Characters, Virtues, Defects, Generations) mund të lexohet si një vepër refleksive me karakter formues, që synon të ndërgjegjësojë lexuesin mbi strukturat themelore të personalitetit dhe rolin e tyre në jetën shoqërore.  Edhe pse nuk ndjek metodologjinë rigoroze të një studimi akademik të specializuar, libri arrin të ndërtojë një urë mes dijes filozofike dhe përvojës së përditshme, duke e bërë atë të vlefshëm si për lexuesin e përgjithshëm, ashtu edhe për studiuesit që kërkojnë një perspektivë sintetike mbi këto çështje.  

Ashtu sikur shprehet vetë autori: “Nëse kjo ese synon të reflektojë mbi cilësitë dhe brishtësinë e njerëzimit në fazat e ndryshme të jetës, një njohje e tillë institucionale përfaqëson, para së gjtihash, një konfirmim të dialogut midis njerëzve, të kujtesës së përbashkët dhe të përgjegjësisë kulturore që çdo brez trashëgon dhe përcjell”.

Libri synon të ofrojë një tipologji të strukturuar të personalitetit, të virtyteve dhe të defekteve, si dhe një lexim të dinamikave ndërbrezore në shoqërinë njerëzore. Vlera kryesore e tij është aftësia për të ndërthurur përvojën vetjake me traditën intelektuale dhe për ta shndërruar këtë ndërthurje në një ligjërim të kuptueshëm, reflektues dhe ndikues në formimin etik të individit.

Ndërsa përkthimi në anglisht është i shkëlqyer.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x