19.5 C
Tirana
16 / 09 / 2024

Në zemër të Tiranës

Nga Ledio Alite

Duke ndjekur kronikat e lajmeve së fundmi në Shqipëri, për vrasje dhe vetëvrasje, më kujtohet një tregim i brilantit francez Gi de Mopasan, i quajtur “Lajkësia”.

“Ishte Parisi, por në cilën epokë nuk e di. Dallova një ndërtesë të madhe, u habita, sepse në fasadën e saj ishte shkruar me gërma të arta: “Vepër për vdekjen vullnetare”. Asgjë nuk të habit, asgjë nuk të shokon, dhe fantazia e shfrenuar nuk e dallon më komiken nga e përditshmja. Shifrat e vetëvrasjeve janë rritur kaq shumë sa masa të tilla u bënë urgjente. Vriteshin në rrugë, në festa, në restorante, në teatër, në vagona, me një fjalë, kudo. Atëherë u desh të centralizoheshin vetëvrasjet në një ndërtesë të tillë… Vetëvrasja e një njeriu të pasur kushtonte mijëra franga si shërbim, ndërsa e të varfërve ishte falas… Të varfërit vinin me një vërtetim varfërie nga komasari i policisë së lagjes së tyre… Një zë i vërtetë me theks fshatari më thirri, dhe ëndrra ime u zhduk”.

Tregimi si pjesë e librit “Në rrethinat e Parisit”, të bën të pyesësh veten sot: Po në rrethinat e Tiranës? Po në zemër të saj?

Për ku drejtohet busulla e shoqërisë tonë sot? Në një vend ku vlera e jetës është bërë kaq e lirë. A mos vallë duhet dhe ne dëshpërimisht të ndërtojmë institucione të vdekjes vullnetare për të menaxhuar dëshpërimin si në ëndrrën e Mopasanit? Mos e dhëntë Zoti! Megjithatë e vërteta është se vetëm një dëshpërim i madh mund të sjellë kaq shumë vepra vrasjeje dhe vetëvrasje, ashtu si dhe mosveprim nga ato që janë përgjegjës të ndërtojnë urgjentisht dhe me seriozitet politika për parandalimin e krimit kundër jetës. Pasi këto vepra ndodhin, nuk ka vlerë më asgjë, pasi nuk ekziston as aftësia për ta rehabilituar shoqërinë. Për ta rikthyer të rehabilituarin ku? Ky dëshpërim parandalohet, vetëm kur të gjithë njerëzve të mençur të këtij vendi, aq sa janë, t’u jepet pushtet e të kuvendojnë me nder dhe shpërblim për zgjidhjen e çdo hallke të JETËS SË PËRDITSHME TË NJERËZVE.

Turizmi, ky motorr që po mban gjallë xhiron e bulevardit, e megjithatë, i tepërt dhe i lodhur, më shumë ndotës për një qytet ku nga mbipopullimi me zor të madh lahen rrugët e rrugicat që kundërmojnë kur nuk bie shi dhe është nxehtë. Si në Nju Jork? Po po, tamam si në Nju Jork. E çfarë pastaj? Këta turistë, që vazhdojnë të na vërtetojnë se nuk jemi ne mbrapa, por përkundrazi, këta janë importues të një depresioni perëndimor të pashoq, të pajustifikuar për t’u ndjekur më si shembull e për t’iu lakmuar sistemi i jetesës. Këta shqiptarë turistë, që kthehen në atdhe për të trazuar jetën e përditshmë të njerëzve, me njëqind e një dilemat e tyre mbi të ardhmen. Ky turizëm, nuk na impresionon më.

Po e shijojnë ndopak këtë realitet, “elita” e këtij vendi? 

Po e shijojnë ndopak artistin e vërtetë që s’ka bukë të hajë? Po vulgarin që e blen respektin? Po mega krimin? Kultura, sa fuqi ka përballë parasë? A po e shijonë ndopak elita e këtij vendi, absurdin e organizimit tonë shoqëror? Ve bast që po, se kush e di sa kohë kanë pa ecur një xhiro në bulevard, por rrijnë të mbyllur në pallatet e tyre të ëndrrave, mendore apo materiale.

E gjithë Tirana tashmë e di, e gjithë Shqipëria tashmë e di. EVERYBODY KNOWS.

Të gjithë e dinë të vërtetën, pavarësisht se kanë kohë që nuk jetojnë me të. Askush nuk e harron të vërtetën, por të gjithë vetëm sa përmirësohen duke gënjyer.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x