Nga Ylli Manjani
Bota ka hyrë në një debat që ndoshta do të përcaktojë shekullin. Debati nuk është më për naftën, as për armët bërthamore, as për raketat. Debati është për Inteligjencën Artificiale. Apo, siç propozoi Donald Trump, le ta quajmë Super Inteligjencë. Tingëllon më dramatike. Dhe, me sa duket, është.
Në laboratorë e universitete, njerëzit po diskutojnë nëse makinat do të na ndihmojnë apo do të na zëvendësojnë. Nëse do të na shpëtojnë apo do të na kontrollojnë. Perëndimi flet me tone alarmi: “kujdes, po krijojmë diçka që mund të na dalë jashtë kontrollit.”
Makina që lexojnë miliona faqe në sekonda. Makina që zbulojnë struktura të proteinave e mekanizma të ADN-së. Programe që depërtojnë në sisteme kompjuterike, maskojnë gjurmët dhe zhduken pa u kapur. Inteligjencë që mëson vetë. Super Inteligjencë, jo lodër.
Nga ana tjetër, Azia e shtyn gazin deri në fund. “Ecni përpara”, thonë. “Kush ndalon tani, mbetet pas.” Një pjesë e botës ka frikë nga Super Inteligjenca. Pjesa tjetër ka frikë vetëm se mos nuk e zhvillon mjaftueshëm shpejt.
Pra, njerëzimi po merret me pyetjen më të madhe të kohës: çfarë do të bëhet me njeriun kur makina të bëhet më inteligjente se ai?
Dhe tani… mirë se vini në Shqipëri.
Këtu kemi hyrë në një debat shumë më ekzistencial.
Ç’radar u fik?
Kush hyri te zyra e Gysit?
Çfarë ka në atë zyrë?
Po pse shkoi?
Po kush e pa?
Po kush ia tha?
Po kush ia çoi SMS-në?
Media jonë është futur në një mision historik. O do ta zbulojë sekretin mistik të asaj zyre, o nuk ka për të fjetur njeri. Sikur aty brenda të jetë fshehur formula e pavdekësisë, jo një zyrë private.
Në CNN flasin për algoritme që mund të drejtojnë ekonomitë.
Ne flasim për kush e hapi derën.
Në Londër debatojnë për rregullimin e AI.
Ne debatojmë për rregullimin e radarit.
Në Tokio ndërtojnë robotë që operojnë zemrën.
Ne ndërtojmë komisione që operojnë thashethemet.
Është një talent i rrallë kombëtar ky që, sa herë bota ngjitet një kat më lart, ne gjejmë një bodrum edhe më të thellë ku të futemi me kokë.
Super Inteligjenca po ndryshon mënyrën si punohet, si luftohet, si mësohet, si bëhet mjekësia, drejtësia dhe ekonomia. Mund të sjellë përfitime të jashtëzakonshme, por edhe rreziqe serioze. Bota po përpiqet të kuptojë kufijtë e saj.
Kurse ne… po përpiqemi të kuptojmë çfarë kishte në zyrën e Gysit.
Po që ndalohet edhe mbajtjen e celularëve për avokatët?! Super inteligjente kjo masë! Ja na ndodh ndonjë krim ndaj GJKKO me celularët e avokatëve, ku të mbytemi pastaj?!
Hajt më! Jetojmë në Shqipëri.
Në fakt, nuk është se mungojnë hallet. Çmimet, ekonomia, emigracioni, arsimi, shëndetësia, teknologjia, siguria kibernetike… Po prioritet kombëtar sot për sot është një telenovelë me radarë, zyra dhe SMS. Është edhe mbrojtja nga skenarë imagjinarë të sulmeve me celularë të GJKKO.
Këto janë halle.
E kujt i plas për Super Inteligjencën?
Kemi budallëqe sa të duash për tu marrë. Ne kemi luksin të merremi me Super Budallëqet.
Bota diskuton të ardhmen, ndërsa ne vazhdojmë të bëjmë debate e rregullore për budallallëkun e radhës.
Ehaaaaa…
- Presidenti Begaj pranon letrat kredenciale të ambasadorit të ri të SHBA në Tiranë, Eric Wendt/ Begaj pas takimit kokë më kokë me Wendt: Thellim i marrëdhënieve! - 26/09/2026
- Senatorët republikanë dhe demokratë i drejtohen Trump: Mos e fto Putin në Miami - 26/09/2026
- Shtëpia e Bardhë bllokon CNN të udhëtojë me Air Force One - 26/09/2026