I pyetur gjatë bashkëbisedimit me gazetarët dhe qytetarët mbi zgjedhjen e tij për të mos reaguar ndaj situatës së ndodhur në ndeshjen e Botërorit Zvicër-Serbi me lojtarët Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, kryeministri Rama tha se “nuk i fryhet zjarrit të nacionalizmit qesharak”. Ai theksoi se dy futbollistët, pavarësisht kombësisë, janë qytetarë zviceranë. Sa i përket sanksioneve nga FIFA, Rama u shpreh se rregullat e saj janë të pranuara nga çdo futbollist dhe janë politika të vetë institucionit.
“Nuk kuptoj realisht pse duhet të flisja. Unë nuk jam kryeministër i Zvicrës, jam kryeministri i Shqipërisë dhe nëse do të ndaja nga skuadra e Zvicrës dy qytetarë zviceranë që kanë kombësi shqiptare, që janë shqiptarë të cilët ne i shohim me dashuri dhe padiskutim simpati të madhe të gjithë, për një ndeshje të veçantë, çfarë do bëja? Konkretisht, çfarë do bëja? Do t’i përdorja ato dy figura për politikë dhe në një mënyrë aspak dinjitoze për hir të së vërtetës sepse është ekipi kombëtar i një shteti tjetër dhe do t’i fryja zjarrit të një nacionalizmi, më falni për shprehjen, qesharak, por nacionalizmi është gjithmonë sa qesharak, aq edhe i rrezikshëm. S’është i nevojshëm, nuk e shoh fare të nevojshme. Kush e bën këtë nuk bën gjënë e duhur.