Bankat ruse po përballen me mungesë likuiditeti, duke e bërë më të vështirë blerjen e obligacioneve shtetërore që përdoren për financimin e borxhit publik, i cili është rritur ndjeshëm për shkak të shpenzimeve të luftës në Ukrainë.
Alarmi është dhënë nga Sberbank, banka më e madhe në Rusi dhe një nga institucionet financiare më të mëdha në Europë. Sipas agjencisë së vlerësimit ACRA, Sberbank kontrollon rreth një të tretën e aseteve të sistemit bankar rus dhe është kanali kryesor përmes të cilit qytetarët dhe bizneset marrin kredi.
Zv/presidenti i bankës, Taras Skvortsov, deklaroi se tërheqjet e parave cash nga sistemi bankar kanë arritur rreth 2 trilionë rubla, ose afërsisht 25 miliardë dollarë, që prej fillimit të vitit. Sipas tij, kjo ka krijuar një presion të madh mbi rezervat e likuiditetit.
Të dhënat e Bankës Qendrore ruse tregojnë se sasia e parave fizike të mbajtura jashtë llogarive bankare është rritur me 17.5% krahasuar me vitin e kaluar. Disa analistë e lidhin këtë rritje me frikën për ndërprerje të internetit dhe probleme të mundshme me sistemet e pagesave.
Megjithatë, drejtues të Sberbank theksojnë se një tjetër faktor është edhe rritja e taksave. Sipas Alexander Vedyakhin, shumë biznese, veçanërisht kompanitë e vogla, përdorin pagesat cash për të shmangur detyrimet tatimore.
Situata po krijon vështirësi për qeverinë ruse, e cila po përpiqet të mbulojë një deficit buxhetor në rritje dhe të gjejë financime të reja për shpenzimet publike.
“Bankat sot kanë fonde të mjaftueshme vetëm për të dhënë kredi për klientët”, tha Skvortsov. Sipas tij, blerja e obligacioneve shtetërore është e mundur vetëm kur bankat kanë likuiditet të tepërt, ndërsa aktualisht situata është e kundërta.
Obligacionet OFZ, të emetuara nga Ministria ruse e Financave, janë një nga instrumentet kryesore për financimin e buxhetit të shtetit. Por rritja e shpenzimeve ushtarake ka rënduar ndjeshëm financat e Moskës.
Në gjysmën e parë të vitit 2026, deficiti buxhetor rus arriti në rreth 5.7 trilionë rubla, ose mbi 70 miliardë dollarë, për shkak të kostove më të larta të mbrojtjes sesa ishte parashikuar.
Sipas raportimeve të Bloomberg, shpenzimet ushtarake të Rusisë mund të tejkalojnë planin vjetor me disa trilionë rubla, duke shtuar më tej presionin mbi buxhetin.
Pavarësisht sanksioneve perëndimore pas pushtimit të Ukrainës, ekonomia ruse ka arritur të rezistojë falë mbështetjes nga industria ushtarake dhe fabrikat që punojnë për nevojat e luftës.
Por kjo politikë ka sjellë pasoja të dukshme: rritje të inflacionit, dobësim të kreditimit dhe ulje të pritshmërive për prodhimin dhe kërkesën.
Inflacioni vjetor në Rusi është rreth 5.9% dhe pritet të arrijë në 6-7% deri në fund të vitit. Ndërkohë, Banka Qendrore ruse ka shtuar mbështetjen me likuiditet për bankat që blejnë borxhin publik, një veprim që disa ekonomistë e shohin si financim indirekt të deficitit shtetëror.
Ministria ruse e Financave po përdor gjithnjë e më shumë obligacione me norma interesi të ndryshueshme, pasi emetimi i disa titujve tradicionalë u pezullua kur normat e interesit iu afruan nivelit 17%.
Sipas disa burimeve, autoritetet ruse po përgatiten për një “skenar më të keq” për financat publike, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon të rrisë kostot ekonomike për Moskën.