Nga Skënder Minxhozi
Mesazhi ishte i qartë. E bënte të qartë formati i “kafes”. Ishin ftuar të gjithë ata që kishin marrë më shumë vota në listat e hapura në 11 maj. Pra, fokusi ishte tek fenomene si Tabaku-Alimehmeti në qarkun e Tiranës, në antitezë të qartë me pjesët e mbyllura të listave, sektorin burokratik të grupit parlamentar të PD në Kuvend.
Organizatori Ervin Salianji ishte kujdesur t’i hidhte edhe benzinën përkatëse zjarrit mediatik që mori hov sapo takimi i mbajtur në një nga hotelet e Tiranës u bë i njohur për publikun. Diskutimet kishin prekur Kodin Zgjedhor, thirrjen e Këshillit Kombëtar të pambledhur prej kohësh që s’mbahen mend dhe në përgjithësi “kërkimi i një riorganizimi dhe riformimi të partisë, me qëllim forcimin e strukturave të saj, reformimin me qëllim fitoren dhe kthimin në qeverisje”, si deklaroi Aulon Kalaja, pjesëmarrës në kafenë fraksioniste.
Në kohën kur protestat tkurren në foltore dhe kur kandidatët e partisë në zgjedhje kombëtare zëvendësohen nga emra të panjohurish që doroviten nga palë të treta, ndodh që edhe një kafe mes njëzet a tridhjetë vetash kthehet me ose pa të drejtë në ngjarje për një parti politike. Dhe jo një parti nga këto që kanë një furgon vota e militantë, por një forcë politike që ka qeverisur Shqipërinë në rreth 40% të tranzicionit postkomunist.
Në kushtet ku ndodhet sot PD nuk ka gjë më normale që diçka e tillë të ndodhë, madje edhe në një mjedis ku prej 34 vitesh kriteri i vetëm i egzistencës ka qenë besnikëria ndaj kryetarit. Mesa duket, si çdo gjë që e ka një fund, edhe urtësia e demokratëve përballë humbjeve kilometrike elektorale që nga viti 2013, mund ta ketë një fund. Dhe ky fund duket se po merr më në fund trajta të shqueshme pas humbjeve turpëruese të këij viti kalendarik, secila më e ububushme se tjetra në natyrën edhe pigmentin e vet.
Partia Demokratike nuk e ka bërë ende analizën e humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, megjithëse praktikisht ndodhemi në dhjetor. Sali Berisha ja arriti ta ruajë postin e kreut të partisë duke shpikur, sipas mjeshtrisë së vjetër, një diversiv. Ishte farsë tha Doktori dhe kaq mjaftoi që asgjë të mos ndryshojë në PD. Madje të mos hidhet as edhe një fjalë sa për të thënë rreth zgjedhjeve.
Kafeja kinse klandestine e Ervin Salianjit me një grup zyrtarësh të partisë është një gjest në dukje i ndrojtur e i pafajshëm. Dhe mbi të gjitha i padëmshëm. Mund të rezultojë fare mirë kështu, sepse historia e PD është e gjitha e mbushur me premisa fraksionesh, tentativa skizmash apo ëndrra të pavarurish. Që të gjithë të hedhur në kosh nga vullneti shtypës i kryetarit historik.
Gjendja ku vegjeton sot kjo parti dikur e madhe është më së paku depresive. Në fakt është një prelud shpërbërjeje të pakthyeshme, një tretje në ujë nga qëndrimi i stërzgjatur në opozitë, si rezultat i dëshirës maniakale të Sali Berishës për ta lidhur partinë pas qerres së fatit të vet. Këta 30 burra që guxuan të pinë kafe pa marrë lejen e Doktorit morën vërtet shpërfilljen e tij (takimet në kafe s’ja vlejnë të komentohen, tha Berisha), por nuk duhet harruar se PD ndodhet në një situatë kur edhe ajo zonja e Kamzës që u sherros me Flamur Nokën dhemb nëse largohet nga strukturat në bazë.
Megjithatë kafja mbetet kafe dhe me të nuk bën dot as gosti dhe as dasëm. Salianji, Alimehmeti dhe Aulon Kalaja kanë dhënë sinjale se nuk janë dakord me statu quonë e serialit të humbjeve të pafundme, por kjo është shumë pak në një seli ku ja kanë harruar shijen dhe ngjyrën fitores. Tani ata mund të mos i ngjajnë fraksionistëve të dikurshëm brenda PD sepse as kafja e tyre nuk ngjan fare me bodrumin e Gramoz Pashkos prej nga dolën mocionistët 30 vjet më parë. Por gjesti simbolik i tyre është padyshim një ndër indikatorët se dominimi i Berishës mbi partinë është një gjendje e thatë dhe mekanike që PD vazhdon ta zbatojë si një inerci e së shkuarës, e jo si vizion i së ardhmes.
Me ose pa Salianjin, me ose pa ata që pranuan të pinë një kafe me të për të hedhur në tryezë disa teza politike, kjo gjendje është aty dhe i ngjan një morti politik në konsumim e sipër. Shpotia e Doktorit për tryezën e kafes fraksioniste nuk e fsheh aspak shqetësimin se Berisha aktual është një politikan pa projekt, por vetëm me dëshirën obsesive për të ecur përpara edhe pa votues, edhe pa ushtarë, edhe pa gjeneralë, madje edhe pa ushtri fare. Dhe këtë rrënojë politike dikur sfiduese për të majtën, nuk ka ironi kafesh që e mbulon. Salianji e të tjerët mund të jenë vërtetë duke bërë një vrimë në ujë, Berisha mund të vijojë i pashqetësuar ta mbajë PD nën thundër edhe për shumë kohë akoma, por kriza mbetet aty. E madhe, e palëvizshme, e pakthyeshme.