1.5 C
Tirana
03 / 12 / 2024

Mos gërmoni, këtu s’ka asnjë thesar!

Nga Skënder Minxhozi

Një barcaletë e vjetër thotë se kur një i pasur tentoi të fshehë thesarin që mbante fshehur në shtëpi, vajti e hapi një gropë në mes të një toke të braktisur. Pasi futi në të të gjitha paratë që kishte mbledhur, për të larguar, me mendjen e tij, vëmendjen nga kuriozët që mund të gërmonin gropën e mbuluar me dhe, vajti dhe i vuri sipër një tabelë ku shkruhej “Mos gërmoni, këtu s’ka asnjë thesar”!

Kjo po i ndodh sot e gjithë ditën ish-presidentit Ilir Meta. U bënë ditë që ka marrë kot, duke luftuar me rojet e natës në selinë e partisë dhe mbi të gjitha, duke u kujtuar pas 33 vitesh që raporti brenda një çatie me bashkëshorten në politikën aktive paska qenë nepotizëm që e ka penguar të ecë përpara. Shqiptarët s’kanë pasur kohë të merren me Ilir Metën. Kanë hallet e tyre të përditshme dhe saga penale e ish-presidentit ka qenë për ta thjeshtë një theshetheme për të vrarë kohën në rrjetet sociale. Tani Meta del e bërtet me sa ka në kokë kundër SPAK. Tamam si ai burri që fshehu paratë në arë dhe u vuri tabelën sipër, shefi i PL po tërheq vëmendjen e publikut drejt hetimeve rreth tij. Në vend që të buzëqeshte i sforcuar për të fshehur sadopak situatën ku ndodhet, ai ka zgjedhur të veshë brezin e dinamitit e të dalë në sheshin Skëndërbej. Kujton se prokurorët përballen më mirë duke i sulmuar publikisht, sesa duke u sjellë sipas ligjit e procedurës, për ta bërë betejën e mbrojtjes aty ku duhet, në gjykatë, e jo në konferenca shtypi.

Pas përçartjes së fundit të Ilir Metës Partia e Lirisë i ngjan sot një “gërmadhe” të ngjashme politike me Rithemelimin. Paradoksalisht në të dyja selitë sot ka dy krerë që mallkojnë nga mëngjesi në darkë SPAK dhe gjithçka që lidhet me të, ndërkohë që zëvendësat e tyre dalin studiove televizive për të përsëritur mekanikisht se e respektojnë drejtësinë e re. Në të dyja selitë sot drejtojnë me dorë të hekurt dy kryetarë që ndajnë në ajër poste imagjinare kryeministrash e zv.kryeministrash, megjithëse njërin nuk e lenë të dalë nga shtëpia, kurse tjetri lufton me rojet e natës të selia e partisë.

Me futjen në krizë të çiftit politik Meta-Kryemadhi, pas sherreve shumëmujore Berisha-Basha, opozita plotëson ciklin e saj të shkërmoqjes, duke na ofruar një spektakël absurd të pamundësisë, shkrehjes dhe defaktorizimit në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Kur pakicës në Kuvend i duhet të përballë negociatën për ligjin e ardhshëm zgjedhor, Rama po lundron i qetë drejt mosndryshimit të  formulës aktuale kurse kundërshtarët e tij i kanë duart e zëna me drejtësinë ose me beteja qesharake brenda vetes.

Shumëkush kruan kokën sot në Shqipëri për të gjetur se përse i duhet Ilir Metës një luftë e brendshme në një parti të përgjysmuar, ku nuk ka më koka për të prerë, siç ja tha e shoqja në Konventë. Janë të shumtë ata që mendojnë se mes çiftit më të vjetër të politikës shqiptare po konsumohet një lojë e mirëmenduar, një si punë strategjie për të ngatërruar kartat në tryezë tani që SPAK ka trokitur te dera.

Kështu e lexojnë amatorët e teorive të komplotit edhe sjelljen e çartur të Ilir Metës, i cili ju del para në rrjetet sociale  një herë duke përkëdhelur një mace rrugëve, një herë tjetër duke i marrë erë luleve në avllitë e Tiranës apo duke hipur majë hekurave nëpër kodra, e një herë tjetër duke sharë me fjalor rruge Altin Dumanin. Një përrua psiqik që shitet me vetëdije të plotë nga ish-presidenti si strategjia e re drejt fitores mbi Ramën dhe Dumanin.

Asgjë e tillë nuk ka për të ndodhur. As do të fitojë mbi Ramën, as do të frikësojë Dumanin. Vetëm do të humbasë edhe grimën e fundit të imazhit e seriozitetit që i kishte mbetur e që nisi ta lerë peng që kur ishte president e shkonte e grindej me policët në selitë e partive. Ilir Meta nuk po na tregon se ka një plan, po na tregon se s’ka më asnjë të tillë, veçse të hedhë në erë cilindo që i rri pranë. Përfshirë edhe Monika Kryemadhin, të cilën duhej ta shihte si aleaten kryesore në këtë orë të errët, e jo si shkaktaren imagjinare të një krize që është e tij, e jo e të tjerëve.

Në sherrin publik bashkëshortor nuk ka asgjë që do të mund të na bënte të besojmë se kjo ndarje po krijon ndonjë avantazh çfarëdo. Askush nuk mund të argumentojë se përjashtimi i gruas nga partia apo shpikja e grupeve armiqësore në një ambjent ku s’ka mbetur më thuajse asnjeri për të dënuar, mund të krijojë ndonjë avantazh çfarëdo penal apo politik. Kjo që shohim është vetëm turravrapi i një demi të plagosur të politikës shqiptare i cili po merr përpara ç’të gjejë. Edhe njerëzit e tij më të afërt.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x