11.5 C
Tirana
27 / 10 / 2025

Mesazhi i qartë evropian për partinë-lavjerrës të Metës dhe gjithë politikën shqiptare

Nga Skënder Minxhozi

Socialistët evropianë na mësuan se paska edhe rreshtim ideologjik, si kriter i grupimit të partive politike në Evropë. Nuk qenka vetëm një lojë trafiku të pisët interesash, por edhe një çeshtje platformash, idesh e vizionesh që ndajnë të majtën dhe të djathtën e sotme në kontinentin e vjetër. Mospranimi i Partisë së Lirisë në kongresin e rradhës të partive socialiste evropiane në Berlin, shoqëruar me arsyen e refuzimit, është një mesazh i fortë se politika duhet të jetë edhe një bashkim vlerash të caktuara kulturore e sociale, përjetimesh, botkuptimi, analize e qëndrimesh të përbashkëta, e jo vetëm sport milionash që të bashkon herë me njërën anë, e herë me tjetrën.

Në 30 vitet e fundit një nga defektet bazë më të dëmshme e të theksuara të sistemit politik shqiptar, ka qenë ai i përzierjes së vazhdueshme të krahëve, i bjerrjes së ideologjive që qëndrojnë në themel të dallimit e ndarjes së rreshtimeve të mëdha, i kalimit nga nja anë në tjetrën të forcave politike më të vogla, apo edhe më keq, i degjenerimit në këtë aspekt të vetë partivë të mëdha që predikojnë një filozofi të caktuar, e aplikojnë të kundërtën e saj.

Shqipëria është laborator perfekt i vdekjes së ideologjive, siç është quajtur fenomeni në dekadat e fundit, sidomos me rënien e perëndorisë komuniste në fundvitet ’80. Një pjesë e mirë e burrave e grave që populluan elitën tonë politike në këto tre dekada, ishin gjithçka përveçse qenie të rreshtuara me ide të kundërta e konkuruese. Kishin hyrë në politikë në vitet ’90 për të ndërruar pllakat e banjos, siç thoshte dikur avokat Ngjela. Dikush që dëshëron të ekzagjerojë, është dhënë rregullisht pas idesë se “këtu qeverisin komunistët”, duke ja vënë fajin origjinës së lëvizjes demokratike dhe lidhjeve të saj të nënujshme me regjimin komunist diktatorial. Të tjerë thonë se këtu janë të gjithë hajdutë, oligarkë etjetj. I perceptojnë si një grup, pak rëndësi kanë siglat që mbajnë në jakën e xhaketës.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x