Me një shfaqje të mbushur me ritme latine, simbolika dhe mesazhe politike, Bad Bunny u ngjit në skenën e Super Bowl LX, duke sjellë kulturën e Porto Rikos dhe duke dërguar mesazhe të qarta mbështetjeje për komunitetin latino-amerikan dhe emigrantët në Shtetet e Bashkuara.
Bad Bunny hapi performancën e shumëpritur me këngën “Tití Me Preguntó”, duke deklaruar që në sekondat e para “Que Rico es ser Latino”. Skena u shndërrua në një ambient tropikal me palma, gjelbërim dhe një “marqueta” të improvizuar, duke evokuar drejtpërdrejt Porto Rikon.
I veshur tërësisht me të bardha dhe duke mbajtur një top futbolli amerikan, artisti performoi me mikrofonin karakteristik headset, në një referencë të dukshme ndaj yllit portorikan Chayanne.

Kënga e dytë e performuar ishte “Yo Perreo Sola”, e cila është shndërruar në një himn kundër ngacmimeve dhe pjesë e albumit YHLQMDLG (“Yo Hago Lo Que Me Da La Gana”). Mesazhi i këngës, që u bë global gjatë pandemisë, arriti këtë herë edhe tek publiku i Super Bowl.
Referenca ndaj ICE
Vetëm një javë pas deklaratave të tij në ceremoninë e çmimeve Grammy kundër Shërbimit të Emigracionit dhe Zbatimit të Doganave të SHBA-së (ICE), Bad Bunny vijoi në të njëjtën linjë.
Në listën e këngëve u përfshi edhe “Nuevayol”, një këngë homazh për kulturën latine dhe diasporën portorikane në Nju Jork.
Gjatë performancës, në ekranin e skenës u shfaq një fragment nga fjalimi i tij në Grammy, ndërsa pati edhe një referencë indirekte ndaj një audioje nga videoklipi i këngës, ku një zë që imiton Donald Trump kërkon falje ndaj emigrantëve.
Performanca e Lady Gaga dhe “fashion statement”
Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes ishte paraqitja e Lady Gaga, e cila interpretoi “Die With A Smile”, duet me Bruno Mars, duke i dhënë këngës një orkestracion latin.
Gaga, e veshur si një vajzë latine, vallëzoi me Bad Bunny, duke shtuar një tjetër moment simbolik në spektakël. Në shfaqje mori pjesë edhe Ricky Martin.
Paraqitja e Bad Bunny i veshur tërësisht në të bardha konfirmoi reputacionin e tij për estetikën provokuese, pasi artisti ka përdorur vazhdimisht modën si mjet për koment social dhe politik.
Green Day pa referencat më të forta politike
Mbrëmjen e hapi grupi Green Day në Super Bowl LX, në Levi Stadium, megjithatë referencat më të forta politike në tekstet e tyre munguan.
Në këngën “Holiday” u hoq pjesa që i referohej George Bush, ndërsa në “American Idiot” nuk pati ndryshime në tekst, ndryshe nga disa performanca të mëparshme live.
Super Bowl i këtij viti mbeti kryesisht në kujtesë për shfaqjen halftime të Bad Bunny, i cili arriti të ndërthurë muzikën, identitetin dhe mesazhin politik në një nga performancat më të diskutuara të viteve të fundit.
Kjo ishte hera e parë në historinë 60-vjeçare të Super Bowl që një artist interpretoi të gjithë shfaqjen halftime në gjuhën spanjolle.
- Siguria ushqimore/ Inspektime në qarkun e Shkodrës, Sula dhe Gjylameti mbikëqyrin në terren procedurat - 02/04/2026
- Skenarët kaotikë për të ndalur rritjen e çmimit të karburantit - 24/03/2026
- “SPAK po bën një punë të shkëlqyer”, Komisionerja për Zgjerim e BE komenton hetimet e Prokurorisë së Posaçme - 24/03/2026