Ka përfunduar Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë në Korçë. Mbrëmjen e së shtunës janë ndarë çmimet e ediciocionit të 9-të i cili për tetë netë me rradhë solli për publikun korçar një larmishmëri shfaqjesh me tematika të ndryshme.
Një juri profesioniste ka vlerësuar shfaqjet, regjisorët dhe aktorët pjesmarrës në këtë festival. Çmimi shfaqja më e mirë e “KoKo Fest 2022” ka shkuar për komedinë “Jashtë bie borë” me regji të Hervin Çulit, i cili gjithashtu ka marrë edhe çmimin si aktori më i mirë profesionist.
Çmimi regjia më e mirë e festivalit, ka shkuar për Altin Bashën, i cili solli në këtë festival tragjikomedinë “Gjaja”, si prodhim i teatrit “Migjeni” në Shkodër.
Edhe këtë vit një çmim mjaft i rëndësishëm ishte ai i karrierës, i cili shkoi për dy personalitete që kanë dhënë kontribut në artin shqiptar. I pari ka qënë për aktorin korçar Niko Kanxheri dhe i dyti për aktoren Rajmonda Bulku.
Në këtë festival janë dhënë edhe shumë çmime të tjera mes të cilave çmimi aktorja më e mirë protagoniste, të cilin e ka fituar aktorja shkodrane Krist Lleshi. Ndërsa aktori i ri më i mirë është shpallur Ermir Hoxhaj. Çmimi artisti i ri më i mirë ka shkuar për dramaturgun Ledian Gjeçi, si autor dhe regjisor i komedisë “Pak Pakt”, prodhim i Teatrit Kombëtar Eksperimental, dhe çmimi skenografia më e mirë është fituar nga Beqo Nanaj.
Aktori jo protagonist më i mirë është shpallur Mehmet Xhelili, dhe aktorja jo protagoniste më e mirë Suela Bako. Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë në Korçë, si një event i rëndësishëm artistik, ka mbyllur kështu një tjetër edicion të suksesshëm, me pjesmarrjen e trupave të ndryshme të teatrove nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut.