Avokati mbrojtës i 28-vjeçares të mbajtur peng dhe dhunuar nga partneri i saj në Tiranë, denoncoi në emisionin Opinion në Tv Klan se ekspertët mjeko-ligjorë nuk kanë kryer kontrollet ndaj të dhunuarës edhe pse kanë kaluar më shumë se 24 orë nga ngjarja.
Pas këtij denoncimi publik, ka reaguar për Opinion ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, i cili tha se Instituti i Mjekësisë-Ligjore i kryen veprimet me vendim të Prokurorisë së Tiranës dhe deri më tani nuk ka asnjë të tillë.
Megjithatë, sqaroi Manja, ka urdhëruar ekspertët mjeko-ligjorë që të koordinohen me Prokurorinë e Tiranës nga dita e nesërme për rastin në fjalë.
“Instituti i Mjekësisë-Ligjore për kryerjen e ekspertimit mjeko-ligjor vihet në lëvizje me vendim të Prokurorisë së Tiranës. Deri tani rezulton se ende nuk ka një vendim të tillë nga organi i Prokurorisë së Tiranës për Institutin e Mjekësisë-Ligjore. Por gjithsesi, të gjithë dëmtimet janë përshkruar në regjistrin e spitalit ku po trajtohet zonja dhe ekspertët e Mjekësisë-Ligjore përveç ekzaminimit fizik të dëmtimeve e japin vlerësimin e tyre mbi bazën edhe të kartelës. Por nisur nga kërkesa publike në emisionin Opinion, kam urdhëruar ekspertët e Institutit të Mjekësisë-Ligjore që nesër të koordinohen me Prokurorinë e Tiranës për kryerjen e ekspertimit me përparësi. Rasti po përcillet me vëmendje nga Instituti i Mjekësisë Ligjore deri në marrjen e vendimit nga ana e Prokurorisë për ekspertim”, thuhet në reagimin e ministrit Manja.
- Nga Moglica tek linja me Kosovën, tre projektet energjetike që Shqipëria çon tek BE-ja për financim - 17/03/2026
- “Jemi të gatshëm për bashkëpunim me Trump”, Macron ndryshon qëndrimin për Ngushticën e Hormuzit - 17/03/2026
- Raporti Rama-Meloni, politikani italian: Është një raport motër-vëlla, mes Italisë dhe Shqipërisë - 17/03/2026