Zgjedhjet lokale në 14 komuna në Mal të Zi, duke përfshirë këtu edhe kryeqytetin, Podgoricën, do të jenë testi më i madh i besimit të qytetarëve në partitë politike pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020, kur u ndryshua pushteti në Mal të Zi. Në këto zgjedhje të drejtë vote kanë rreth 340 mijë zgjedhës, ku garojnë 100 lista zgjedhore për 481 këshilltarë në këto komuna.
Gara do të zhvillohet mes dy grupimeve politike që kanë dominuar prej vitesh në Mal të Zi. Në njërën anë janë partitë pro-malazeze të udhëhequra nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit aktual, Milo Gjukanoviq, që mbi 30 vite e mbanin pushtetin në Mal të Zi dhe në anën tjetër janë partitë që fituan zgjedhjet e vitit 2020, të njohura si grupimi pro-serb dhe pro-rus.