15.5 C
Tirana
18 / 10 / 2025

LDK refuzon koalicionin me LVV: Nuk do ta votojmë një qeveri me Kurtin kryeministër

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës janë të vendosur për të mos pranuar hyrjen në një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit. Në drejtim të partisë që drejtohet nga Lumir Abdixhiku ka pasur disa ftesa publike për bashkëpunim, por LDK thotë se nuk do të bashkojë votat me Kurtin për shkak të keqqeverisjes në mandatin e tij të parë.

“Jo, ne nuk do ta votojmë, ashtu siç e dini edhe ju edhe qytetarët e Kosovës. Ne i kemi marrë disa ftesa për me hy në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje që nga fillimi, domethënë kur kanë filluar hapat e parë për konstituimin e Kuvendit. Ne të gjitha ato i kemi refuzuar, për arsye që mendojmë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është e gatshme të qeverisë me LVV, duke e pasur parasysh që qeverisja e tyre gjatë katër viteve të kaluara ka qenë keqqeverisje në të gjitha dikasteret, në të gjitha ministritë”, thotë deputeti i LDK, Paris Guri.

LDK thotë se nuk do të lejojë të vijojë cenimi i raporteve me aleatët ndërkombëtarë.

“Duke e pasur parasysh që për LDK-në njëri prej misioneve kryesore është mbajtja e raporteve me aleatët ndërkombëtarë, ndërsa këta gjatë katër viteve i kanë dëmtuar shumë interesat tona në raport me miqtë tanë dhe Kosova është nën sanksione. Ne nuk do të kontribuojmë në vazhdimin e një qeverisjeje prej LVV-së”, shprehet Guri.

Më 11 tetor, Kurti mori mandatin për krijimin e qeverisë së re nga presidentja Osmani dhe i kanë mbetur edhe 8 ditë afat për të gjetur 61 votat e nevojshme për të marrë miratimin në Kuvend.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x