30.4 C
Tirana
26 / 06 / 2026

“Kush dreqin është Marilyn Monroe?”, Historia e telegramit më ironik në botë dhe sesioni fotografik që fjeti 59 vjet në arkiv

Në verën e vitit 1950, Ed Clark, një fotograf i revistës LIFE, punonte në zyrën e Los Anxhelosit në Sunset Boulevard. Ishte tridhjetë e nëntë vjeç, i rritur në Nashville të Tennessees. Gjatë karrierës së tij, ai kishte fotografuar Presidentin Roosevelt në Hyde Park, kishte dokumentuar funeralin e tij dhe kishte qenë i pranishëm në gjyqin e oficerëve gjermanë në Nuremberg. Me kalimin e viteve, Clark kishte fituar një reputacion të ndërtuar mbi profesionalizmin; ishte ai lloj fotografi që dërgohej në misione ku kërkohej dikush që nuk e impononte praninë e vet. Lëvizte me qetësi, dinte të dëgjonte dhe dinte të priste.

Në fund të korrikut të atij viti, telefoni i zyrës së tij ra. Në linjë ishte një mik nga departamenti i publicitetit i studios Twentieth Century Fox.

– Kam një emër për ty, i tha ai. Një bionde e re. Ende nuk është yll, sapo e kemi marrë me një kontratë të vogël. Sapo kemi nënshkruar me një “hot tomato”. Duhet ta fotografosh.

Clark e shënoi emrin në bllokun e tij, e falënderoi dhe mbylli telefonin. Emri ishte: Marilyn Monroe. Nuk e kishte dëgjuar kurrë më parë, thuajse askush nuk e kishte dëgjuar.

Ai telefonoi studion, organizoi një sesion fotografik dhe, disa ditë më vonë, shkoi ta merrte me makinën e tij. I tha se donte ta çonte në Griffith Park, parku i madh mbi kodrat e Hollivudit, ku ajri ishte më i pastër se në qendër të qytetit dhe ku eukaliptët zbrisnin deri pranë shtigjeve.

Ajo buzëqeshi: Më tingëllon mrekullisht.

Ishte 1 gusht 1950. Marilyn ishte vetëm njëzet e katër vjeçe dhe pothuajse askush nuk e njihte. Tre muaj më parë kishte luajtur një rol të vogël në The Asphalt Jungle, ndërsa dy muaj më vonë do të shfaqej në një tjetër rol të vogël në All About Eve. Ndiqte mësime aktrimi me Natasha Lytess dhe flokët i kishte lyer bionde, por jo ende me atë ngjyrën platin që do të bëhej marka e saj e fabrikës. Ishin në ngjyrën e butë të mjaltit, si të një vajze që ende nuk mund të përballonte sallonet më të shtrenjta. Grimi ishte i lehtë, rrobat të thjeshta.

Atë pasdite, në fotografitë e Ed Clark-ut, ajo kishte veshur një këmishë pambuku ngjyrë kremi me kopsa, ku mbi xhepin e kraharorit ishin qëndisur inicialet M.M. Vishte një palë xhinse blu të zakonshme, këpucë “saddle shoes” dhe mbante vetëm një unazë të hollë ari. Gjatë rrugës, ajo i tha fotografit: Jam thjesht e lumtur që sot dola nga studioja.

Clark e fotografoi mbi urën e vogël prej druri që kalonte përroin, ulur në një stol duke lexuar, shtrirë mbi bar, duke ecur zbathur mbi gurë dhe duke u mbështetur në trungun e një eukalipti të vjetër. E fotografoi në një livadh të gjelbër, tek lidhte lidhëset e këpucëve, tek fuste këmbët në ujin e ftohtë të përroit dhe tek ndërronte rrobat pas një peme për të veshur një bluzë të thjeshtë banje. Pastaj, sërish ulur në bar, me librin në duar. Madje, ajo i lexoi edhe poezi me zë.

Sipas kujtimeve të Ed Clark-ut, të rrëfyera në një intervistë të vitit 1999, libri ishte një përmbledhje e vogël me poezi amerikane. Pesëdhjetë vjet më vonë ai nuk arrinte ta kujtonte autorin; ndoshta ishte Walt Whitman, ndoshta Emily Dickinson, ose ndoshta një libër i vogël që ajo e kishte blerë në një librari të Hollivudit vetëm pak ditë më parë. Ajo lexonte ngadalë, pothuajse me druajtje, me zërin e butë të një vajze së cilës bota ende nuk i kishte dhënë leje të fliste me zërin e saj të vërtetë.

Atë ditë Clark realizoi afro dyqind fotografi. Mbrëmjen e po asaj dite u kthye në redaksinë e LIFE në Los Anxhelos. Zhvilloi vetë negativët, përgatiti kontaktet dhe, të nesërmen në mëngjes, ia dërgoi me postë ajrore të regjistruar redaksisë qendrore të revistës në Manhattan. Pastaj priti.

Kaloi një javë. Përgjigjja erdhi me telegram, në të cilin shkruheshin vetëm shtatë fjalë: “Kush dreqin është Marilyn Monroe?” Telegrami shoqërohej edhe me një shënim të brendshëm: “Ky material është zhvilluar keq dhe është printuar dobët.” I gjithë sesioni u arkivua. Negativët u futën në një dosje, dosja u vendos në kutinë e arkivit me mbishkrimin Gusht 1950, dhe kutia përfundoi në një raft të një magazine me temperaturë të kontrolluar jashtë Manhattan-it. Aty fotografitë mbetën të paprekura për pesëdhjetë e nëntë vjet.

Tre vjet më vonë, e njëjta revistë që kishte pyetur “Kush dreqin është…”, u përpoq me nxitim të gjente çdo fotografi të mundshme të saj. Pas filmave Niagara, Gentlemen Prefer Blondes dhe How to Marry a Millionaire, Marilyn ishte bërë gruaja më e famshme e Hollivudit. LIFE e vendosi në kopertinë më 7 prill 1952. Pastaj përsëri, dhe përsëri. Deri në fund të jetës së saj, Marilyn Monroe do të shfaqej njëmbëdhjetë herë në kopertinën e kësaj reviste — më shumë se çdo grua tjetër e shekullit XX.

Por askush nuk mendoi të hapte kutinë ku flinte dosja e shënuar “Gusht 1950”. Ed Clark nuk këmbënguli. Ai vazhdoi jetën e tij: fotografoi Truman-in, Adlai Stevenson-in, Audrey Hepburn-in dhe pothuajse çdo figurë të rëndësishme të gjysmës së dytë të shekullit XX. Ruajti negativët e Marilyn-it edhe në arkivin e tij personal, jetoi qetësisht dhe vdiq në mars të vitit 2000.

Në vitin 2009, dyzet e shtatë vjet pas vdekjes së Marilyn Monroe, redaktorja Dawnie Walton në LIFE.com mori detyrën të digjitalizonte arkivin gjigant fotografik të revistës. Mes mijëra dosjeve, ajo hasi një që nuk e kishte parë askush prej dekadash: Monroe, M. Griffith Park -Gusht 1950 – Clark, Ed.

E hapi. Brenda gjeti afro dyqind fotografi të pabotuara: një vajzë me flokë ngjyrë mjalti, ulur mbi një urë druri, duke lexuar poezi, duke hequr këpucët, duke futur këmbët në ujë dhe duke buzëqeshur me drojë para objektivit me këmishën e saj ngjyrë kremi ku qëndiseshin inicialet M.M.

Fotografitë u publikuan në LIFE.com në qershor të vitit 2009. Brenda dy ditësh u shpërndanë nga pothuajse të gjitha mediat kryesore të botës: në televizion, gazeta, revista, në radion kombëtare amerikane, madje edhe në Twitter-in e sapolindur. Historia ishte e njëjtë kudo. Ja ku ishte Marilyn Monroe, njëzet e katër vjeçe, në dritën e butë të verës kaliforniane, një vit para se të bëhej “Marilyn Monroe”. Zbathur, me një libër të vogël poezish në dorë, mbi një urë druri në Griffith Park.

Në atë cep të vogël e privat të jetës së saj, ajo nuk ishte ende ikona që do të pushtonte botën. Ishte ende Norma Jeane Mortenson, katër vjet larg shtëpisë së saj të fundit kujdestare, tre vjet pasi kishte zbardhur flokët dhe dy vjet pasi kishte marrë një emër artistik që ende nuk i përkiste plotësisht. Brenda afro tetëmbëdhjetë muajsh do të shndërrohej në gruan më të famshme të shekullit, por atë të martë të qetë gushti, ajo nuk ishte askush i veçantë. Ishte thjesht një vajzë me një libër.

Ndërkohë që në Nju Jork redaktorët e LIFE dërgonin telegramin me shtatë fjalë pa e dalluar dot shkëlqimin e saj, fati po përgatiste stuhinë që do të ndryshonte përgjithmonë historinë e kulturës popullore.

Për Marilynin. Për Ed Clarkun. Për urën prej druri në Griffith Park. Për këmishën ngjyrë kremi me inicialet M.M. Për ujin e ftohtë të përroit dhe librin e hollë të poezive, titullin e të cilit askush nuk e mbajti mend. Për telegramin me shtatë fjalë dhe për pesëdhjetë e nëntë vitet e heshtjes në arkiv. Dhe mbi të gjitha, për atë pasdite gushti kur një vajzë me flokë ngjyrë mjalti dhe këmbë zbathur ishte, qoftë edhe për një orë të vetme, thjesht një vajzë me një libër.

Përgatiti: Albert Vataj

Artikujt më të kërkuar

1
0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x