13.5 C
Tirana
27 / 03 / 2026

Kurti pas takimit me krerët e KFOR-EULEX: Të largohen barrikadat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar komandantin e KFOR-it Angelo Michele Ristuccia dhe shefin e EULEX-it Lars Gunnar Wigemark.

Takimi vjen një ditë pas incidentit me armë zjarri pranë një patrullë të KFOR-it në Zubin Potok. Nga Zyra e Kryeministrit bëhet me dije se u diskutua për situatën në veri.

“U fol edhe lidhur me veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend”.

Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë.

Gjatë takimit u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.

Në takim u theksua profesionalizmi, maturia dhe guximi i dëshmuar i Policisë së Kosovës, në ruajtje të sigurisë dhe rendit publik në mbarë territorin e Republikës së Kosovës.

Në takim morën pjesë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe Ministri i Punëve te Brendshme Xhelal Svecla.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x