Nga Avni Selmani
Në këto zgjedhje, dhe jo vetëm, u pa më qartë se kurrë se mediat në Kosovë nuk e tregojnë më realitetin, por janë kthyer në zëdhënëse të interesave politike. Portalet dhe studiot televizive janë ndarë ashiqare në grupe, në mbrojtës dhe sulmues të caktuar. Dhe më e rënda, këtë e bëjnë hapur. Kur një gazetare në studio televizive e thotë hapur se është shumë e rëndësishme që filan lideri “mos me fitu”, ndërsa moderatori qesh, atëherë gazetaria nuk është më profesion, por shërbim i interesave të dikujt.
Nëpër studiot televizive trajtohen tema të ndryshme dhe për secilën temë do të duhej të thirreshin profesionistë të fushave përkatëse. Kjo do ta bënte debatimin më të ndershëm dhe më të dobishëm. Por tek ne ndodh e kundërta. Çdo studio ka ekipin e vet të njëjtë, gazetarë të fshehur nën petkun e “analistit”, që flasin për çdo temë, pa marrë parasysh se çka diskutohet. Ata janë aty për të gjitha problemet e qytetarëve. Ata akuzojnë, gjykojnë dhe vendosin kush ka të drejtë e kush jo. Nuk ka fushë që nuk e njohin. Ata dinë çfarë ka bërë gabim presidenti amerikan, çka ka në mendje kryeministri, çka do të ndodhë me çmimin e naftës dhe pse e ke tensionin e ulët. Dhe kur u shterrën fjalët për politikë, e banalizojnë bisedën me humor. Sepse në studio edhe humori është kthyer në pjesë të skenarit, jo të debatit.
Si rezultat i këtyre parregullsive, Kosova ka rënë në indeksin e lirisë së mediave. Dikur censura bëhej nga shteti, sot mediat e bëjnë vetë. Ato nuk i pengon askush. Problemi nuk është presioni i jashtëm, por interesat që u shërbejnë. Nuk i ndalon sistemi; ato vetë pranojnë të kthehen në shërbim të dikujt. Prandaj problemi nuk është politika, por mediat që punojnë kundër lirisë së tyre. Në këtë gjendje, mediat janë bërë problemi i vetvetes.
Në këtë situatë lind pyetja, pse nuk reagon Asociacioni i Gazetarëve? Cili është roli i tij kur shkeljet ndodhin çdo ditë dhe askush nuk reagon? Heshtja e tij vetëm sa e thellon krizën. Gazetaria gjithmonë ka nevojë për reagim të brendshëm, për përgjegjësi dhe për të vërtetën.
Në këtë kaos politik e social dhe në gjithë problemet me të cilat përballemi si shoqëri, mediat do të duhej të ishin lidhja mes institucioneve dhe qytetarëve. Por në praktikë po ndodh e kundërta, mediat janë bërë një nga shkaktarët kryesorë të këtij kaosi që nuk po merr fund.
- Si po e fsheh Kremlini vendndodhjen e Putin me tre zyra pothuajse identike? - 15/11/2025
- “Shko në SPAK dhe përballu! Komentet i lexon, fletëthirrjen jo”/ Berisha njofton bisedë live në rrjetet sociale, fansat e ‘masakrojnë’ - 15/11/2025
- “Gjykata Kushtetuese të kthejë në zyrë Erion Veliajn”, Rama: Hapëm rrugën e zgjedhjeve sepse Tiranës i dhet një udhëheqës, Ogerta mbetet kandidatja jonë - 15/11/2025