Në Tiranë po luhen ndeshjet e “Kupës Pavarësia 2022” në volejboll për femra, organizuar nga Federata Shqiptare e Volejbollit në bashkëpunim me Federatën e Volejbollit të Kosovës në kuadër të 110 Vjetorit të Pavarësisë.
Në ditën e parë të kësaj kupe Skënderbeu ka fituar me rezultatin 3-0 me ekipin kosovar të Dritës. Ndeshje e cila është dominuar në të tre setet nga volejbollistet korçare, aq sa kosovaret nuk kanë shkuar më shumë se tek pikët e vogla në çdo set.
Nga ana tjetër edhe Partizani ka fituar me “Fer Volley” të Kosovës me rezultatin 3-0. Nëse Skënderbeu e ka fituar lehtësisht ndeshjen, Partizani në dy setet e para ka pasur vështirësi aq sa kanë qënë pikët e fundit, për të përcaktuar ekipin fitues në këto dy sete. Seti i tretë ka qënë më i thjeshtë për Partizanin që ka fituar 25-17.
Pas këtyre dy ndeshjeve të fituara, Skënderbeu dhe Partizani do të luajnë nesër në finalen e “Kupës Pavarësia”, takim ky që pritet me mjaft interes, nisur edhe nga fakti se vetëm pak ditë më parë Partizani ka fituar në Kampionat me Skënderbeun, me rezultatin 3-1.
Trajneri i ekipit Skënderbeu në volejboll për femra, Orlando Koja, ka përgatitur grupin e lojtareve pikësrisht për këtë përballje, aq sa ka ndryshuar jo pak në vendosje edhe për të izoluar sa më shumë të jetë e mundur lojtaret kryesore të Partizanit.
Madje edhe në ndeshjen e fituar me Dritën është parë të luajë me të njëjtin modul loje, siç pritet të jetë i vendosur edhe në ndeshjen finale me Partizanin.
Gjërat kanë shkuar mirë edhe në takimin me kosovaret, ka pranuar i pari i pankinës korçare Orlando Koja, por ka pasur rezerva përsa i përket bllokut dhe lojës në pozicionin 3.
“Duhet të përmirësohemi, nëse duam të bëjmë gjithçka mirë në finale” ka shkuar më tej Koja duke treguar se nëse Skënderbeu gabon si në ndeshjen e kampionatit, Partizani do ta ketë më të lehtë fitimin e trofeut.