Lojërat Mesdhetare në Taranto po kthehen në një arenë ëndrrash për Kosovën, me padelin që po shpërfaqet si një ndër shpresat më të mëdha të vendit për të prekur një medalje historike.
Në garën e çifteve të përziera, dyshja kosovare Lavdrim Krasniqi dhe Donika Bashota dhuruan një spektakël të vërtetë në fushë, duke realizuar një përmbysje fantastike ndaj rivalëve nga Mali i Zi, Gianluca Pelonzi dhe Ivanka Simonović. Ndonëse e humbën setin e parë pas një lufte të fortë e të ngushtë, “Dardanët” reaguan me karakter. Ata morën frenat e lojës në dorë, diktuan ritmin në dy setet e radhës dhe vulosën një fitore bindëse me rezultatin 6-7, 6-4, 6-1.
Ky triumf i jashtëzakonshëm i kualifikon Krasniqin dhe Bashotën mes tetë më të mirëve të turneut. Të martën, në fazën çerekfinale, ata do të përballen me një “provë zjarri”: dyshen italiane Marco Cassetta dhe Giulia Dal Pozzo. Si një nga ekipet pretendente dhe më të forta të turneut, italianët do të kërkojnë maksimumin, por motivi i Kosovës është i jashtëzakonshëm. Një fitore e mundshme do të siguronte biletën për në gjysmëfinale, duke e afruar dyshen dardane vetëm një hap larg zonës së medaljeve.
Për një shtet që sapo ka nisur rrugëtimin e tij në arenën ndërkombëtare të padelit, kjo arritje flet shumë. Krasniqi dhe Bashota tashmë e kanë hedhur hapin e parë të rëndësishëm. Tani, sfidës së të martës i mbetet barra për ta shndërruar këtë fushatë fantastike, në një moment lavdie të pashlyeshme për sportin kosovar.
- “Ruani qetësinë, vazhdoni përpara”, e tërë Europa kundër Rusisë: Po vijnë raketat për Kievin… - 24/08/2026
- Kosova drejt historisë, dyshja e padelit mposht Malin e Zi dhe “kërcënon” Italinë për një medalje në Lojërat Mesdhetare - 24/08/2026
- Alarm për sulme ajrore në Kiev, Antonio Costa dhe Presidenti finlandez evakuohen në strehë - 24/08/2026