Atmosfera festive ndihet në gjithë qytetin e Korçës, ndërkohë që ndryshe është situata në tregun e fruta-perimeve.
Teksa na ndajnë edhe pak ditë nga nata e ndërrimit të viteve, tashmë ka filluar të reflektohet rritja e çmimeve në tregun e fruta-perimeve në Korçë. Për disa prej produkteve çmimi gati është dyfishuar, krahasuar me një vit më parë.
Qytetarët thonë se çmimet janë të papërballueshme, ndërsa shprehen se këtë vit do të blejnë më pak. Rritja e çmimeve ka prekur të gjithë qytetarët teksa pensionistët duket se e kanë më të vështirë. Ata thonë se masa e ulët e pensionit i kushtëzon në blerjet e fundvitit dhe se shpenzimet e muajit i përballojnë me ndihmën e fëmijëve.
Situata duket jo e mirë edhe për tregëtarët e fruta-perimeve, të cilët thonë se shitjet deri më tani kanë qenë shumë të ulta. Sipas tyre të ardhurat e pakta, por edhe rritja e çmimeve të produkteve të tjera ka sjellë mungesën e fuqisë blerëse. Madje disa prej tregtarëve shprehen se nuk arrijnë të sigurojnë të ardhura për familjet e tyre.
Rritje të çmimeve kanë pësuar edhe produktet që përdoren për gatimet e natës festive duke përfshirë, gjalpin, vezën, mishin dhe ëmbëlsirat.
