Shiu i rënë orët e fundit në juglindje të vendit ka shuar plotësisht vatrat e zjarreve në zonën e mbrojtur të Bredhit të Drenovës në afërsi të Gurit të Cjapit. Nga flakët e zjarrit janë përshkuar 40 ha me bredh, pishë e ah ndërkohë që një pjesë e tyre janë djegur plotësisht.
Këtë e ka bërë të ditur Vasil Male, drejtor i Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura Korçë, i cili shton se është ngritur një grup pune që do të bëjë verifikimin e dëmeve dhe planin për rehabilitimin e tyre në të ardhmen.
Terreni i thyer malor dhe era e fortë kanë bërë që situata të dalë jashtë kontrollit, por ekipet e Shërbimit Zjarrfikës, Sektorit të Emergjencave Civile, Sektorit të Pyjeve, puntorët e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike të bashkisë Korçë, si dhe forcat e ushtrisë të repartit ushtarak Drenovë, kanë mundur të normalizojnë situatën duke minimizuar dëmet e rënda që solli kjo ngjarje.
Po ashtu vatra zjarri ka patur në Moravë dhe në Dardhë, të cilat po ashtu janë normalizuar në një kohë të shkurtër falë ndërhyrjeve. Për të gjitha vatrat e zjarreve të cilat shkaktuan dëme në kurorën e gjelbër dhe rezervat pyjore të Korçës, policia po heton për zjarrvënie të qëllimshme, dhe po punon për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës, por deri tani nuk ka asnjë të ndalur.






- Nga Moglica tek linja me Kosovën, tre projektet energjetike që Shqipëria çon tek BE-ja për financim - 17/03/2026
- “Jemi të gatshëm për bashkëpunim me Trump”, Macron ndryshon qëndrimin për Ngushticën e Hormuzit - 17/03/2026
- Raporti Rama-Meloni, politikani italian: Është një raport motër-vëlla, mes Italisë dhe Shqipërisë - 17/03/2026