Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan ka folur këtë të enjte me kryeministrin Edi Rama, duke i shprehur mbështetjen e SHBA-së pas sulmit kibernetik që iu bë portaleve qeveritare nga Irani.
“Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan foli sot me kryeministrin Edi Rama të Shqipërisë për të shprehur mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për aleatin tonë në NATO pas sulmit kibernetik të Iranit më 15 korrik. Ata u zotuan të vazhdojnë të punojnë së bashku në përpjekjet e Shqipërisë për korrigjimin dhe masat e sigurisë kibernetike. Gjithashtu, z. Sullivan shprehu vlerësimin për pritjen bujare të Shqipërisë për shtetasit afganë që janë larguar nga Afganistani, shumë prej të cilëve ndihmuan SHBA-në. Ata diskutuan gjithashtu partneritetin tonë të vazhdueshëm për çështjet rajonale dhe globale, duke përfshirë NATO-n”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Pas sulmit kibernetik të shërbimeve publike online që gati rrënoi të dhënat e shqiptarëve, Shqipëria akuzon Iranin. “Sulmi nuk ishte një operacion individësh, por një agresion shtetëror. Agresioni është orkestruar nga Irani”, tha kryeministri Edi Rama.
Ministria e Jashtme e Iranit i konsideron “pretendime të pabaza” akuzat, dhe një “veprim të pamenduar dhe dritëshkurtër në marrëdhëniet ndërkombëtare”, ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

- Elton John feston 5-vjetorin e “Cold Heart” me Dua Lipën: “5.3 miliardë dëgjime dhe një miqësi e mrekullueshme” - 13/08/2026
- Raportohen 38 vatra zjarri. Situatë e rënduar në Lurë, Priskë dhe Elbasan, ndërhyrje nga toka dhe ajri. Përmirësohet situata në Krujë - 13/08/2026
- “Nuk e gjykoj njeriun që më fali jetën”, si u tërhoq Skënder Haluci nga trupa gjykuese për dënimin e Ramiz Alisë - 13/08/2026