“Ju flet Tirana”, u dëgjua për herë të parë më 28 nëntor 1938. Është dita kur valët e Radio Tiranës shkuan për herë të parë tek dëgjuesit, në përvjetorin e 26-të të pavarësisë së Shqipërisë. Në ceremoninë e inaugurimit ishte i pranishëm edhe mbreti Zog, i cili do të mbante një fjalim ku e konsideronte këtë ngjarje shumë të rëndësishme për “zhvillimin e kulturës dhe vëllaznimin e racës shqiptare”.
Referuar kushteve të vështira të kohës, dalja në transmetim e një radioje në gjuhën shqipe konsiderohej si arritje e rëndësishme. Fillimisht studioja e radios u vendos në ambientet e Bashkisë së Tiranës, një godinë që ndodhej ku është sot Muzeu Historik Kombëtar. Ajo ishte nga ndërtesat më moderne të Tiranës së atyre viteve. Në dy prej dhomave më të mëdha të katit të dytë të bashkisë, u vendos Radio Tirana. Në njërën prej tyre u vendosën aparaturat dhe stafi i radios dhe në dhomën tjetër studioja e folësve. Studioja e folësve shërbeu edhe për transmetimet e programeve muzikore që ishin të drejtpërdrejta. Në orën 12.00 të datës 28 nëntor 1938, Radio Tirana nisi emisionin e saj të parë, paraqitur nga folësja e njohur Kaliopi Nushi (Plasari).
Fillimisht Radio Tirana transmetonte vetëm 3 orë, ndërsa një vit më vonë e shtoi programacionin në 11 orë, duke transmetuar muzikë, lajme në gjuhën shqipe dhe 6 gjuhë të huaja.
Në vitin 1939 Radio Tirana filloi të botonte edhe një revistë me të njëjtin titull në shqip dhe italisht, me përmbajtjen e programacionit.
Fillimet e Radio Tiranës lidhen me emra të shquar të kulturës e artit shqiptar të asaj kohe, si Marije Kraja (soprano), Tefta Tashko Koço (soprano), Tonin Guraziu (pianist), Merita Sokoli (soprano), Lola Gjoka (soprano), Gjergj Bubani, drejtori i parë i Radio Tiranës, Dhora Leka (redaktorja e parë), Kaliopi Plasari (spikerja e parë), Haki Bejleri (spikeri i parë), Viktori Xhaçka, Kristaq Andoniu, Sterio Spase, Mihal Popi, Besim Lubonja, Vera Zheji, Piro Naçe, Hamdi Sulçebej, Vasfi Samimi, Mihal Ciko, Anton Mazreku etj.
Shumë prej pjesëtarëve të stafit të parë të Radio Tirana do të persekutoheshin gjatë regjimit komunist. Drejtori Gjergj Bubani do të shpallej armik i popullit dhe do të akuzohej me pretendimin se “është bërë vegël e propagandës armike” si agjitator, propagandist dhe publicist përmes radios dhe botimeve, si në gazetën “Bashkimi i Kombit”. Megjithëse tre dëshmitarë deklaruan se e njihnin Bubanin si simpatizant të Lëvizjes Antifashiste që nga fillimet e saj, ai u dënua me 15 vite burg nga gjykata speciale. U akuzua në gjyqin special të vitit 1945 si “vegël e propagandës armike” për lidhjet e tij me mediat italiane dhe për rolin në radio dhe shtypin e kohës. Megjithëse dëshmitarë thanë se kishte simpati për Lëvizjen e Çlirimit, ai u dënua me 15 vjet burg dhe u internua në projektet e ndërtimit pranë Maliqit. Ndërroi jetë në burg në vitin 1954.
Soprano Merita Sokoli u arrestua një ditë maji në vitin 1947, kur oficerë të Sigurimit të Shtetit zbarkuan në Radio Tirana dhe arrestuan sopranon. Merita Sokoli vinte nga auditorët e Akademisë Nacionale të Santa Cecilia-s, në Romë. Atje kishte studiuar e kishte spikatur si soprano me zë të rrallë, nëpër ato auditorë ku studionte edhe Enio Morricone, ku studiuan e u formuan si artistë me famë botërore Beniamino Gigli, Maria Cherogiorgou-Sigara, Franco Donatoni, por edhe Preng Jakova. Merita Sokoli u dënua me 5 vite burg dhe më pas me internim deri në vitin 1990.
Vasfi Samimi u dënua gjithashtu me burg, i shpallur si armik i popullit në gjyqin special. E vetmja vepër e tij në fakt i kushtohej kombit dhe çështjes së Kosovës. Është fjala për librin e tij “Nëna Kosovë”, dhe pikërisht për këtë libër u dënua në gjyqin special në vitin 1945. Drejtësia komuniste e asaj kohe e përcaktoi tradhtar vetëm pasi idetë e këtij libri prishnin miqësinë me serbët që mbanin të pushtuar Kosovën martire. Në libër, autori i cilësonte akademikët serbë intelektualë kriminelë në lidhje me Kosovën dhe mbronte pikëpamjen se nuk ka as Shqipëri të Madhe, as Shqipëri të Vogël, por ka vetëm Shqipëri të Vërtetë. Në dhjetor të vitit 1944 libri u hoq nga qarkullimi dhe mbeti libër i ndaluar përgjatë periudhës sa vazhdoi regjimi komunist. Ndërsa Samimi vuajti disa vite burg në diktaturë dhe u dënua të heshtë përgjithë kohën e regjimit komunist.
Marije Kraja është gjithashtu ndër emrat e stafit të parë të Radio Tiranës që u persekutua gjatë regjimit komunist. Ishte soprano e nivelit evropian, por do të mbetej përgjithmonë në hije për shkak të angazhimit të familjes së saj në veprimtari antikomuniste.












- Prefekti i Tiranës vizitë në Kavajë, Hajdari: Mundësi për të ndërtuar ura bashkëpunimi në shërbim të qytetarëve - 13/02/2026
- “Duhet të bëhemi më të pavarur dhe të bëjmë më shumë për mbrojtjen”, Von der Leyen: Një Europë e fortë do të thotë një NATO e fortë! - 13/02/2026
- “Ju flet Tirana….” zëri i parë dhe heshtja e dhunshme në diktaturë (VIDEO) - 13/02/2026