15.5 C
Tirana
11 / 05 / 2026

Java Kulturore Kineze në Tiranë starton me aktivitete për folklorin dhe ushqimin kinez

Java Kulturore e Kinës startoi me aktivitete të shumta në sheshin “Italia”, në Tiranë, i zbukuruar me simbole kineze, për të paraqitur folklorin dhe kulinarinë kineze për të gjithë të pranishmit dhe dashamirësit e kulturës dhe qytetërimit kinez.

Në një atmosferë festive, në stendat e vendosura në sheshin para stadiumit Air Albania u paraqit arti i prerjes së letrës si dhe festivali i gatimeve tradicionale kineze, ku qytetarë të ndryshëm shijuan ushqimet e shijshme.

Gjithashtu u dhuruan libra nga Instituti “Konfuci” i Universitetit të Tiranës, si dhe u shpërndanë dhurata simbolike kineze për të pranishmit. Qytetarët e pranishëm mund të shkruanin emrin e tyre me hieroglife kineze. Me interes u ndoq nga të pranishmit koncerti me muzikë folklorike kineze në bashkëpunim me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë.

Të shumtë ishin spektatorët që ndoqën edhe Galanë Akrobatike, me numra të zgjedhur për të demonstruar artin kinez.

Javët Kulturore Ndërkombëtare janë një nismë e Ministrisë së Kulturës, që sjell tingujt, imazhet, aromat dhe shijet e vendeve të ndryshme të botës në kryeqytetin shqiptar.

Falë programit dinamik e gjithëpërfshirës, Javët Kulturore Ndërkombëtare do të krijojnë një atmosferë të jashtëzakonshme e do të shpërndajnë mesazhe të forta paqeje dhe pranimi të njëri-tjetrit.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x