18.5 C
Tirana
17 / 05 / 2026

Intervista/Besnik Mustafaj: Berisha u rrah nga Rama, tani prisni reagim nga opozita.

Besnik Mustafaj ka bërë përgjegjës Edi Ramën, për goditjen e Berishës, në një intervistë për Panorama/

Z. Mustafaj, në Tiranë patëm paralelisht një protestë të opozitës dhe Samitin e BE-së me vendet e Ballkanit. Në nisje të protestës u shënua një incident ku u sulmua kryetari i opozitës. Sipas jush, a është ky sulm i ndikuar nga gjuha e dhunës që përdor kreu i qeverisë?

Ky nuk është një akt i rastësishëm. Të gjithë analistët e botës do të thoshin se ky gjest është i lidhur drejtpërdrejtë me gjuhës “bullshit”-e të kryeministrit dhe të disa ministrave kundër opozitës në përgjithësi, kundër kësaj proteste në veçanti. Një gjuhë urrejtjeje, e cila pastaj gjen shprehjen e vet me akte të tilla tek individë të caktuar. Aspekti i dytë është se ai figuruaka në databazën e Policisë, pra ajo që tha Berisha se është bashkëpunëtor i Policisë nuk qenka një sajim. Një bashkëpunëtor i Policisë që kryen një akt të tillë e implikon drejtpërdrejt Policinë e Shtetit dhe politikën. Në këtë kuptim, është një akt shumë shqetësues që ka ngjallur indinjatë te demokratët, ka ngjallur emocione shumë të forta dhe që mund të ketë pasoja.

Cilat mund të jenë pasojat z. Mustafaj?

Një opozitë që ndihet e dhunuar, mund të reagojë. Flas për popullin opozitar. Dhunimi i liderit është dhunim i të gjithë popullit opozitar. Një opozitë që ndihet e lënduar mund të dalë jashtë kontrollit në protestat e saj. Në këtë kuptim, besoj se ka vend për shqetësim të madh nga ana e qeverisë dhe nga ana e opinionit publik, për sa kohë ne shohim që aq më tepër institucionet nuk po mbajnë qëndrimin e duhur.

Ju jeni diplomat, i kuptoni më mirë në fakt aktet që janë shkak e që sjellin një pasojë. Kryeministri Rama dhe njerëzit e tij e kanë anatemuar protestën e opozitës. Në këndvështrimin tuaj, imazhin e Shqipërisë dje, e prishi protesta e qytetarëve apo dhuna që ndodhi ndaj liderit të opozitës?

Manifestimi i opozitës ishte pastërtisht pro evropiane. E para, në frymën paqësore në të cilën u organizua, e dyta, në respektimin e perimetrave të sigurisë të kërkuar nga Policia. E treta, me gjuhën e përdorur nga ata që e morën fjalën në këtë protestë. Cila ishte kjo gjuhë? Denoncimi i të gjitha aspekteve të korrupsionit. Të gjitha ato që u denoncuan dje bien ndesh me frymën e Bashkimit Evropian. Sa i përket përmbajtjes dhe mënyrës së zhvillimit të protestës, ishte një vazhdim i thirrjes së studentëve “e duam Shqipërinë si gjithë Evropën”. Pra, jo vetëm që nuk cenonte imazhin e Shqipërisë, por e përmirësonte frymën pro evropiane të shoqërisë shqiptare. Nuk ka integrim me një shoqëri që bie ndesh me vlerat evropiane.

Si është përjetuar nga liderët e vendeve të BE-së që ndodheshin në Shqipëri, ajo që ndodhi me kryetarin e opozitës?

Unë u ndjeva pak i shqetësuar, sepse nuk u tha asnjë fjalë as nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, dhe as nga presidenti i Këshillit Evropian, Charls Mishel, të cilët duhet t’i referoheshin në një moment të caktuar protestës. Në tërësinë e saj, në qëllimet e saj, por edhe në incidentin që ndodhi me liderin e opozitës. Nuk është normale. Vijnë këtu për të sjellë një frymë evropiane dhe nuk mbështesin demokracinë, kjo është e rëndë.

Çfarë do të sugjeronit ju që të bënte opozita në tërësi për të përçuar mesazhin e duhur te ndërkombëtarët, por edhe ndaj qeverisë që sulmon median dhe opozitën?

Opozita dhe media si një pushtet i pavarur dhe sovran të gjithë bashkë duhet të sensibilizojnë shoqërinë shqiptare. Ta bëjnë që shoqëria t’u kundërvihet me mjetet demokratike dhe vendosmërinë e një shoqërie që synon mbajtjen gjallë frymë evropiane, t’i kundërvihen qeverisë. Objekti i punës së opozitës është shoqëria shqiptare, është opinioni publik. Nuk janë ndërkombëtarët. Ata janë këtu për të mbajtur shënim atë që mishëron çdo shfaqe politike e opozitës, çdo denoncim i mediave dhe për ta përcjellë në BE. Në këtë kuptim opozita duhet të vazhdojë rrugën e komunikimit me qytetarët.

Dje, e përmendi z. Meta që tashmë janë ezauruar të gjitha instrumentet e fjalës dhe është koha për veprim. Edhe në protesta ka pasur protestues, të cilët janë ndier të zhgënjyer sepse protesta ka qenë e paqtë. Ju mendoni se duhet të vazhdohet në këtë rrugë, apo duhet të ndryshojë strategjia?

Unë mendoj se protesta dje duhet të ishte e paqtë ashtu siç ishte. Domethënë, nuk mendoj se dje kishte vend për më shumë shprehje zemërimi. Por, protestat nuk janë festa dhe nuk janë dasma. Protestat janë vërshim në rrugë i njerëzve të zemëruar dhe njerëzit e zemëruar duhet ta shprehin shqetësimin e tyre, kjo është një e drejtë legjitime për çdo individ dhe bashkësi që del në rrugë. Nuk më duket se duhet mendje e thellë për t’i kuptuar këto gjëra. Duhet t’i kuptojnë drejtuesit e protestave, drejtimi politik i të gjitha partive dhe duhet t’i kuptojë edhe qeveria. Të mos pres lule nga protesta.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x