Nga Çapajev Gjokutaj
Ceremonia e hapjes së lojrave olimpike të Parisit, përfundoi mbrëmë me ndezjen e flakës olimpike dhe me Celine Dion që këndonte ‘Himn për dashurinë’ të Edit Piaf. Pak më pas Laura Pausini shkrunte: “Duart po më dridheshin dhe sytë më lotonin, ndërsa shihja dhe dëgjoja të adhuruarën time.”
Po ta heqësh këtë interpretim nga konteksti i mbrëmshëm, vështirë se do të ishte kaq emocionues. Kënga të prekte sidomos me ngarkesat simbolike që përmbante.
Ishte performanca e parë live e Dion pas katër vjet heshtjeje si pasojë e një çrregullim neurologjik, që shkakton dobësim të muskujve, por dhe prekje të kordave të zërit. Përkundër kanosjes së sëmundjes, Celine ia doli të performonte dhe të dëshmonte forcën e njeriut, mrekullitë që mund të bëjnë vullneti dhe shkenca mjeksore.
Parë kështu interpretimi i Dion merrte trajtën e një simboli që rezononte fuqishëm me thelbin e lojrave olimpike: qysh nga antikiteti kanë përcjellë mesazhin se njeriu ka potenciale të kalojë kufijtë e të zakonshmes, të dëshmojë vlera fizike e shpirtërore që fqinjërojnë me qielloren.
Si kurdoherë edhe mbrëmë sportistë të të gjitha vendeve, racave e civilizimeve ishin bërë bashkë që, me gjuhën universale të sportit, t’i thoshnin botës se, përkundër diversitetit, njerëzimi priret nga bashkëpunimi, nga gara, kremtimi dhe jo nga lufta e shkatërrimi apo nga mynxyrat që po shohim në Gaza, Ukrainë e gjetkë.
Vendosur në një kontekst të tillë, më të gjerë, interpretimi i Celine Dion nuk ishte thjesht himn për dashurinë, po himn për njeriun dhe për të bukurën e sublimen brenda tij.
- SHBA formon ekipin negociues për bisedime me Rusinë, 3 zyrtarë të lartë amerikanë drejt Arabisë, ndër ta Sekretari i Shtetit - 15/02/2025
- Telefonata e Sekretarit të Shtetit dhe homologut të tij rus, në fokus rikthimi i dialogut mes dy fuqive botërore dhe konflikti me Ukrainën - 15/02/2025
- Tronditet Austria! Një person vret me thikë një 14-vjeçar dhe plagos katër të rinj në rrugë! Dëshmitari përplas me makinë autorin - 15/02/2025