Zv.kryeministrja Albana Koçiu ka reaguar lidhur me incidentet e regjistruara mbrëmjen e 18 tetorit pranë selisë së Partisë Demokratike, ku protestuesit u zhvendosën brenda ambienteve të godinës, ndërsa forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës në perimetrin pranë saj.
Teksa akuzon protestuesit për dhunë, Koçiu deklaron se efektivët nuk bën asgjë më tepër, sesa u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës ndaj sulmeve të dhunshme me molotovë. Ajo ka hedhur poshtë pretendimet për të kundërtën, duke theksuar se po përpiqet të shmanget përgjegjësia për dhunën ndaj forcave të policisë.
“Dhuna rikthehet gjithmonë aty ku e ka folenë. Zbatuesit e saj, pasi godasin dhe shkatërrojnë, vrapojnë të struken në selinë e porositësve të tyre, për të vazhduar prej andej sulmin ndaj Policisë së Shtetit.
Efektivët iu përgjigjën me gaz lotsjellës sulmit me molotovë të protestuesve të dhunshëm. Përballë fakteve, çdo pretendim tjetër është i pavërtetë, i qëllimshëm dhe thellësisht dashakeq, i ngritur për të fshehur të vërtetën dhe për të shmangur përgjegjësinë për dhunën e ushtruar”, shkruan Koçiu.
Zv.kryeministrja ka akuzuar më tej kreun e opozitës se po vijon të mbajnë peng vendin.
“Por e vërteta nuk fshihet dot pas tymit: Shqipërinë po tenton ta mbajë peng sërish po i njëjti njeri! Ai që, për atë të shkretë karrige, ka treguar për të disatën herë se është gati t’i vërë flakën vendit. Ashtu siç e ka treguar edhe dikur, kur atë karrige e mbante me gjakun e shqiptarëve në duar”, thekson ajo.
- The Wall Street Journal: Putin propozon samit me Trump dhe Xi Jinping për Ukrainën, pa praninë e Zelenskyt - 19/10/2026
- “Trump i ka quajtur organizata terroriste…”/ Rama për protestat: Nuk negociohet me askënd që përdor dhunën, ka rënë shteti nëse negocion me ta - 19/10/2026
- Rama për protestën në Tiranë: Rusia dhe Irani të përfshirë, sulme të mirëkomanduara nga forca të huaja - 19/10/2026