Nga Prof. Dr. Ethem Ruka
Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, teoria e evolucionit e Çarls Darvinit ishte në qendër të diskutimeve shkencore, por ende nuk dihej se si trashëgoheshin tiparet nga një brez në tjetrin. Shumë studiues mbështetnin idenë se tiparet e prindërve shkriheshin te pasardhësit, ashtu siç përzihen ngjyrat kur treten në ujë.
Një biolog i ri britanik, Uilliam Bejtsoni (William Bateson, 1861–1926), nuk ishte aspak i kënaqur me këtë shpjegim. I dalluar për mendimin e tij kritik, ai mbronte idenë se ndryshimet në botën e gjallë nuk ndodhnin gjithmonë ngadalë dhe me hapa të vegjël, por mund të shfaqeshin edhe në mënyrë të papritur. Në vitin 1905, ai propozoi emrin e një shkence të re, gjenetikës, e cila do të studionte trashëgiminë dhe ndryshueshmërinë e qenieve të gjalla.
Uilliam Bejtsoni, biri i një profesori të njohur dhe drejtuesi të Kolegjit St. John në Kembrixh, lindi në qytetin bregdetar të Uajtbait (Whitby), ndërsa familja e tij po kalonte pushimet verore. Ai u rrit dhe mori arsimin fillestar në Kembrixh. Në fëmijëri ishte një nxënës i zakonshëm, pa ndonjë prirje të veçantë. Për më tepër, shfaqte qëndrim kritik ndaj mësimdhënies së asaj kohe, e cila kërkonte mësimin përmendsh të gjuhëve klasike, si latinishtja dhe greqishtja e vjetër.
Në vitin 1875, kur ishte 14 vjeç, ai u largua nga Kembrixhi për të vazhduar shkollën e mesme në Rugby School, në qytetin e Regbit (Rugby), në Uorikshajër (Warwickshire). Edhe aty nuk u dallua në mësime. Në përshkrimet e drejtorit të shkollës, ai paraqitej si një djalë indiferent dhe pa synime të qarta në jetë. Në të vërtetë, ndonëse Bejtsoni nuk shfaqte ndonjë pasion për librat e vjetër, ai ishte shumë i dhënë pas natyrës. Kur e pyesnin se çfarë dëshironte të bëhej, përgjigjej me humor se donte të bëhej natyralist, por, nëse nuk do të ishte mjaftueshëm i zoti, do t’i duhej të bëhej mjek.
Pasi përfundoi shkollën në Regbi, ai u rikthye në Kembrixh dhe u regjistrua në Kolegjin St. John për të studiuar shkencat e natyrës. Në këtë mjedis të ri, Bejtsoni nuk ishte më djali indiferent i dikurshëm, por një student i zellshëm që shkëlqeu në mësime. Në vitin 1883, ai u diplomua me rezultate të larta në shkencat e natyrës, duke u përqendruar veçanërisht në zoologji.
Pas diplomimit, ai u nis drejt Virxhinias, në SHBA, ku u mor me studimin embriologjik të gjallesave detare. Më vonë, në vitin 1886, ndërmori një ekspeditë kërkimore në liqenet e kripura të stepave të Azisë Qendrore. Ai synonte të kuptonte lidhjen ndërmjet kushteve të mjedisit dhe ndryshimeve që shfaqeshin te organizmat. Kjo përvojë në terren do të bëhej një bazë e rëndësishme për kërkimet e tij të mëvonshme mbi ndryshueshmërinë dhe trashëgiminë.
Rezultatet e këtyre studimeve ai i botoi në vitin 1894 në veprën Materiale për studimin e variacionit. Në këtë libër dokumentoi raste të ndryshimeve të pazakonta në natyrë, të cilave biologët e tjerë nuk u kishin kushtuar shumë vëmendje. Bejtsoni përshkroi kafshë që lindnin me numër më të madh ose më të vogël gjymtyrësh dhe bimë që shfaqnin tipare të ndryshme nga ato të zakonshmet.
Këto fakte e bindën se ndryshueshmëria e organizmave nuk ishte gjithmonë e vazhdueshme dhe graduale. Megjithatë, vëzhgimeve të tij u mungonte ende një shpjegim i plotë eksperimental dhe matematikor.
Një ditë të vitit 1900, ndërsa udhëtonte me tren drejt Londrës, ai lexoi punimin e plotë të murgut austriak Gregor Mendel. Ky studim, i paraqitur në vitin 1865 dhe i botuar më 1866, përshkruante rezultatet e eksperimenteve mbi trashëgiminë te bimët e bizeles, por kishte mbetur pothuajse i harruar deri në vitin 1900.
Bejtsoni kuptoi se kishte gjetur pikërisht atë që kërkonte prej kohësh: një shpjegim sasior të mënyrës së transmetimit të tipareve. Mendeli kishte treguar se faktorët trashëgues përcilleshin si njësi të veçanta dhe nuk shkriheshin me njëri-tjetrin.
Bejtsoni u bë një nga mbrojtësit dhe përhapësit më të vendosur të kërkimeve të Gregor Mendelit. Në vitin 1902 botoi veprën Parimet e trashëgimisë së Mendelit: Një mbrojtje, ku paraqiti dhe mbrojti idetë mendeliane. Ai propozoi edhe terma të rinj shkencorë, disa prej të cilëve përdoren ende sot. Ndër ta ishin alelomorf, që më vonë u shkurtua në alel, homozigot, për organizmat që kanë dy alele të njëjta për një tipar, dhe heterozigot, për ata që kanë dy alele të ndryshme. Për kohën, kjo përbënte një kthesë të rëndësishme në biologji dhe një përpjekje për ta shndërruar studimin e trashëgimisë në një fushë të disiplinuar shkencore.
Bejtsoni kuptoi se kishte ardhur koha të themelohej një disiplinë biologjike që do të merrej posaçërisht me studimin e trashëgimisë dhe ndryshueshmërisë. Kjo ide u shndërrua në misionin kryesor të karrierës së tij. Në një letër të shkruar në vitin 1905, ai propozoi për herë të parë termin gjenetikë.
Një vit më vonë e përdori publikisht këtë term gjatë Konferencës së Tretë Ndërkombëtare për Hibridizimin e Bimëve. Fjala rridhte nga greqishtja e vjetër gennō, që do të thotë «të lindësh» ose «të japësh jetë». Nuk bëhej fjalë thjesht për një emër të ri, por për identitetin e një fushe shkencore që do të ndryshonte biologjinë.
I frymëzuar nga puna e Mendelit, Bejtsoni, së bashku me gjenetisten Edit Rebeka Saunders dhe shkencëtarin Reginald Punet, ndërmori eksperimente me bimën e bizeles së ëmbël (Lathyrus odoratus). Gjatë këtyre eksperimenteve ata vunë re se disa tipare nuk ndaheshin në mënyrë të pavarur, siç pritej sipas ligjit të dytë të Mendelit, por prireshin të trashëgoheshin së bashku.
Ky vëzhgim hodhi bazat e konceptit të lidhjes gjenetike. Sot dihet se gjenet që ndodhen pranë njëri-tjetrit në të njëjtin kromozom kanë prirje të transmetohen së bashku te pasardhësit. Në atë kohë, Bejtsoni dhe bashkëpunëtorët e tij e përshkruan dukurinë me termat «bashkim» dhe «zmbrapsje», pa e shpjeguar ende plotësisht bazën e saj kromozomike.
Reputacioni i Uilliam Bejtsonit u rrit si në Angli, ashtu edhe në rrethet shkencore ndërkombëtare. Në vitin 1908 ai mori një katedër të posaçme si profesor i biologjisë në Universitetin e Kembrixhit, ku mbajti një ligjëratë kushtuar metodave dhe fushës së gjenetikës. Pas dy vjetësh u largua nga Kembrixhi për t’u bërë drejtori i parë i Institutit të Hortikulturës John Innes në Merton. Atje kishte mundësi të zhvillonte eksperimente më të gjera me bimë dhe kafshë. Në vitin 1910, së bashku me Punetin, themeloi revistën Journal of Genetics, e cila u bë një mjet i rëndësishëm për përhapjen e ideve të reja në këtë fushë.
Ndërkohë, përtej oqeanit, gjenetisti amerikan Tomas Hant Morgan dhe bashkëpunëtorët e tij po zhvillonin teorinë kromozomike të trashëgimisë. Bejtsoni nuk e pranoi menjëherë këtë teori dhe për një kohë të gjatë mbeti dyshues ndaj disa prej përfundimeve të saj. Megjithatë, pas një vizite në laboratorin e Morganit në vitin 1922, ai u tregua më i hapur ndaj provave që lidhnin gjenet me kromozomet.
Uilliam Bejtsoni, një kërkues me shpirt të pavarur dhe kundërshtues i ideve të pranuara pa prova, nuk e pranoi titullin kalorësiak që iu ofrua nga qeveria britanike. Ai vazhdoi të punonte me të njëjtin pasion në institutin e tij, derisa ndërroi jetë papritur më 8 shkurt 1926, në moshën 64-vjeçare. Ai la një trashëgimi të rëndësishme në historinë e biologjisë: ndihmoi në përhapjen e zbulimeve të Mendelit, krijoi një pjesë të terminologjisë së gjenetikës dhe i dha emrin kësaj shkence të re.
