Nga Ledio Alite
“Nju Jork, vera e vitit 1922. Qytetin e kishte pushtuar histeria. Tregu kishte arritur kulmin. Festat ishin më të mëdha, spektaklet më prestigjoze, ndërtesat më të larta. Morali nuk kishte asnjë kuptim dhe alkooli rridhte lumë.
Në vitet e mia më të hershme, babai më këshillonte: ‘Gjithmonë përpiqu të shohësh më të mirën tek njerëzit.’ Dhe kështu, si pasojë prirem t’u rezervohem paragjykimeve, por edhe unë, e kam një kufi. Në këto vite (1920), të gjithë ne pinim shumë. Sa më shumë në koherencë me kohën të ishim, aq më shumë pinim. Dhe askush nga ne nuk kontribuonte në asgjë të re. Kur u ktheva nga Nju Jorku isha i neveritur. I neveritur me këdo, dhe gjithçka.”
Këto janë fjalët e Nick Carraway në psikiatri, dhjetorin e vitit 1929, fjalët personazhit simpatik të filmit ‘Getsbi i Madh’ (2013) bazuar në romanin me të njëjtin titull të F. Scott Fitzgerald, i cili pasqyron më shumë se një realitet të atyre viteve.
Ndoshta dikush nuk ka nevojë të analizojë shumë për të kuptuar disa shenja të panatyrshme të zhvillimit social-ekonomik. Mjafton të bësh një ecje, të bashkëpunosh, të marrësh, të japësh, pra të jetosh në mesin e shoqërisë. Fjalët e këtij personazhi, të them të drejtën duhet të na shqetësojnë. Duhet të na shqetësojnë sepse këto fjalë duken të njohura, por në një tjetër kohë, në vitet njëzet të shekullit tonë, sigurisht në rrethana të tjera reale apo virtuale, por në thelb të natyrës njerëzore të ngjashme.
Hiperkonsumi po dominon sot në Tiranë, mendoj unë. Hiperkonsumi i gjithçkaje, dhe më e keqja, varësia nga ky hiperkonsum, shtuar dhe realitetin virtual ku të gjithë jetojnë midis dy botëve, ku shpesh koncepti i hedonizmit merr një shije false. Është e vërtetë që zhvillimi material është i prekshëm, pavarësisht burimit, ai ekziston. Sot pa asnjë dyshim jetojmë materialisht më mirë se më parë. Por se kjo eufori, nuk më pëlqen aspak, për arsyen e përbashkët me njëqind vjet më parë, që ne nuk po kontribuojmë në asgjë të re. E megjithatë, zgjuarësia ka pushtuar mendjet tona, një shkathtësi e paparë qarkullon në këtë shoqëri, nuk ka pyetje pa përgjigje. Super teknikat e mitizimit dhe prestigjit individual janë drejt një të përpjete të sofistikuar si bursa e Wall Street në vitin 1922. Fitohet, shpenzohet, dhe më e bukura, ka plot spektakorë në rradhë që duartrokasin dhe mezi presin të bëjnë lëvizjen e tyre apo të marrin pak nga shkëlqimi i të suksesshmëve. Më e trishta qendron te fakti se hallet e njerëzve janë plotësisht periferike dhe në errësirë, jashtë dritës së kësaj skene të madhe të shfaqjes, njësoj si në skenat e filmit ‘Getsbi i Madh’. Në fund të fundit, ekonomia duke se është pasqyrë e mentalitetit të kohës.
Në vitin 1928, para Depresionit të Madh në SHBA, ekziston një histori për një nga njerëzit më të pasur të botës, John D. Rockefeller, i cili po pastronte dhe shkëlqente një ditë këpucët. Djaloshi që po i bënte këtë shërbim, i cili nuk e njihte zotërinë, filloi t’i jepte këshilla investimi. J.D i mori këto këshilla, por në një formë tjetër. Ai arsyetoi se nëse një djalosh që shkëlqen këpucët, me një qindarkë për këpucë, po i jepte këshilla investimi, atëherë ishte koha të dilte nga tregu. Kështu bëri, dhe familja e tij i mbijetoi Depresionit, duke vazhduar dhe sot të jetë një nga familjet më të pasura të botës.
E njëjta logjikë vlen dhe sot në Tiranë, njerëz pa asnjë ekspertizë që japin këshilla mbi çdo gjë, vetëm me të dëgjuar. Njësoj si gjatë boom-it spekulativ të viteve 1920 me djemtë që shkëlqenin këpucët. Në atmosferën e hiperkonsumit, një njeri i shkolluar duket si një bullar i ngathët në stacion para gjithë këtij treni të fuqishëm të zhvillimit.
Shpresoj shumë të jem gabim në këtë perspektivë, dhe që kjo paralele të jetë plotësisht e kontestueshme. Dhe kurrsesi nuk do të doja që djem të mirë si z. Carraway, të dilnin nga vorbulla e tregut në një psikiatri duke rrëfyer në retrospektivë histerinë e kohës.
Megjithatë…
- Demokraci të helmuar si kërpudhat e zonjës Petterson - 08/07/2025
- “Po ndërton paqe në shumë rajone”, Netanyahu propozon Trumpin për Çmimin Nobel - 08/07/2025
- VIDEO/ Kryeministri Rama dhuron gjak në godinën qeveritare dhe bën apelin: Përveçse jepni kontribut të vyer, ju rinon dhe rigjeneron - 08/07/2025