Ka nisur pak ndryshe emisioni i parë i ish-deputetes së PD Grida Duma e cila la mandatin për të drejtuar “TOP STORY”, programin e njohur ne TOP CHANNEL që moderohej më parë nga gazetari Sokol Balla.
Për rreth 20 minuta, zonja Duma u duk sikur ishte e ftuara e emisionit pasi hyrja e saj ishte monolog ku u shpjegonte shikuesve të TCH arsyet pse e detyruan atë të linte politikën dhe të ishte pjesë e medias.
Edhe pas përfundimit të dialogut, ndonëse Grida ishte moderatore emisioni dhe kishte të ftuar 3 analistë, Berat Buzhala nga Kosova, Dritan Hila dhe Arjan Curri, sërish u gjend në rolin e të ftuarës.
Pjesa e parë prej 45 minuta e TOP STORY iu dedikua Dumës dhe rolit të saj në politikë ku nuk munguan komplimentet e Buzhalës që e vlerësoi aksionin e Gridës në parlament, por dhe kritikat deri diku sarkastike të Currit i cili kërkoi të dinte nëse vërtet zonja Duma kishte menduar për veten apo elektoratin kur u largua nga politika. Duket se emisioni “TOP STORY” nuk do të mbetet pa u komentuar, duke u nisur dhe nga look-u i moderatores Grida Duma që duhet thënë se nuk ka zhgënjyer, duke u shfaqur elegante dhe me klas si përherë, megjithëse pamja e saj sa vjen dhe ndryshon, sigurisht për mirë.
Pjesë nga rrëfimi i Dumës
Kjo që po bëj tani, që po komunikoj me shumë shqiptarë është gjëja më serioze që më ka ndodhur. Mendoj që kam hyrë në politikë jo në ditën që kam hyrë në një strukturë partie, hyra nga media në politikë. Gara në këtë vend nuk është vrarë nga ekonomia e tregut, gara në këtë vend, meritokracia është vrarë nga kryetarët. Ata janë të parët që në një vend post-komunist paracaktojnë garat. Një kryetar e di shumë mirë që mjafton një simbolikë e vetme, sikur ta marrë atë kandidatin në një foto në krahun e djathtë, dihet kush do fitojë. Me sa kam parë aty në Kuvend, këtu është vështirë që të më gënjejë njeri.