Sonda Voyager 1 e NASA-s besohet se ka arritur tashmë një kufi historik të cilin asnjë mjet tjetër hapësinor i nisur nga Toka nuk ia ka dalë ta realizojë më herët. Ky vlerësim bazohet në llogaritjet paraprake të agjencisë hapësinore amerikane, ndërsa sonda vazhdon udhëtimin e saj nëpër zbrazëtinë e hapësirës ndëryjore.
Sonda robotike, e lëshuar në vitin 1977, sipas llogaritjeve të NASA-s, arriti një distancë prej një dite-dritë nga Toka të mërkurën. Një ditë-dritë është distanca që përshkon drita gjatë 24 orëve, afërsisht 25.7 miliardë kilometra.
Zyrtarët e Laboratorit të Propulsionit Reaktiv të NASA-s në Kaliforni do të duhet të presin rreth një ditë për të marrë një sinjal nga sonda, i cili do të konfirmojë se ajo ka arritur këtë distancë. Ata kanë planifikuar një aktivitet për të enjten, gjatë të cilit do të diskutojnë këtë arritje historike.
“Arritja e distancës prej një dite-dritë është një sukses mahnitës, diçka që nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të arrija ta shihja”, tha Suzanne Dodd, menaxhere e projektit Voyager.
Voyager 1 po udhëton me një shpejtësi prej afro 61 mijë kilometrash në orë. Në vitin 2012, ajo kaloi kufirin e jashtëm të heliosferës, një flluskë mbrojtëse e përbërë nga grimca dhe fusha magnetike të krijuara nga Dielli, duke hyrë kështu në hapësirën ndëryjore.
Binjakja e saj, Voyager 2, u lëshua gjithashtu në vitin 1977 dhe hyri në hapësirën ndëryjore në vitin 2018.
Një përfaqësues i Laboratorit të Propulsionit Reaktiv tha se masat e fundit për kursimin e energjisë mund t’u sigurojnë dy sondave Voyager energji të mjaftueshme për të qëndruar në komunikim me Tokën edhe për tre deri në katër vite të tjera.
“Megjithatë, qëllimi i misionit është kryerja e kërkimeve shkencore dhe ka energji të mjaftueshme për të mbajtur në funksion grupin aktual të instrumenteve deri në 50-vjetorin e lëshimit vitin e ardhshëm. Përtej kësaj periudhe është e vështirë të bëhen parashikime. Sigurisht, këto janë mjete hapësinore gati 50-vjeçare dhe gjithmonë mund të ndodhin gjëra të paparashikueshme, të cilat ekipi nuk mund t’i parashikojë”, tha përfaqësuesi i JPL-së.
Gjatë fazave të mëparshme të misionit, Voyager 1 kaloi pranë Jupiterit dhe Saturnit, dy planetëve më të mëdhenj të sistemit diellor. Ajo vazhdon të mbledhë të dhëna shkencore.
- Xi dhe Trump takohen në Shenzhen, presidenti kinez: Jam i vendosur të punoj me ju për të çuar marrëdhëniet në kursin e duhur - 19/11/2026
- Gati 50 vite pas nisjes, sonda “Voyager 1” arrin distancën 1 ditë dritë nga Toka - 19/11/2026
- Inteligjenca artificiale zbulon një të metë kritike në gjuhën e programimit Java, Oracle publikon përditësim urgjent - 19/11/2026