4 sfida janë zhvilluar për llogari të ditës së tretë të Kupës së Botës dhe padyshim ka qenë ndeshja e parë e ditës ajo midis Argjentinës dhe Arabisë Saudite me këta të fundit të cilët shtangën të gjithë tifozët e futbollit me fitoren e tyre 1-2.
Ndër të tjera Danimarka dhe Tunizia kanë ndarë pikët duke përfunduar në 0-0, gjë që pasoi dhe në ndeshjen e luajtur midis Meksikës dhe Polonisë po 0-0.
Në mbrëmje Franca ka treguar forcën e kampionit të Botës duke mundur Australinë 4-1.
Argjentinë – Arabia Saudite
Pra gjithçka nis 0-0 në “Lusail Stadium” dhe është pikërisht kapiteni Messi që kthen në gol penalltinë e akorduar nga gjyqtari Vincic pas një komunikimi nga dhoma e VAR. Kështu në minutën e 10’ zhbllokohet sfida dhe shkon në 1-0. Në minutën e 28’ Lautaro Martinez gjen rrugën e rrjetës me një goditje shumë të bukur por që zhvlerësohet nga ana e sistemit VAR. Do të ishin dy raste ku Lautaro do të shënonte në pozicion jashtë loje pasi edhe në minutën e 34’ pasi vertikalizimi i Messit ishte pak i vonuar duke zhvlerësuar kështu një tjetër gol. Deri në këtë dukej një bast i lehtë për argjentinasit por pjesa e dytë rezervon surpriza jo të këndshme për Messin.



Kështu pjesa e dytë nis përsëri me Argjentinën e cila has vështirësi për të krijuar raste të pastra shënimi dhe është pikërisht Arabia Saudite e cila nga ana tjetër shokon dhe shënon 2 gola në harkun kohor të 5 minutave. Fillimisht është Saleh Al Shehri që shënon në minutën e 49′ dhe në të 54-tën dyfishon Salem Al Dawsari. Argjentinasit të goditur psikologjikisht mundohen të reagojnë por janë apatik në aksionet e tyre.
Ndeshja mbyllet në rezultatin 1-2 për Arabinë Saudite dhe ky është një sinjal shumë negativ për kombëtaren nga Amerika Latine pasi nëse duan të shkojnë në shkallën më të lartë të podiumit nuk është kjo rruga e duhur.
Danimarkë – Tunizi
Ndeshja e parë e Grupit D midis Danimarkës dhe Tunizisë është ndarë në “paqe” me rezultatin e përgjithshëm 0-0.
Pjesa e parë ishte e ekuilibruar me raste të pakta nga të dyja ekipet ku rastin më të mirë e patën tunizianët të cilët realizuan por që goli u anullua për pozicion jashtë loje.


Pjesa e dytë nis me ritëm më të lartë dhe skuadrat zgjaten në fushë për të kërkuar diçka më shumë dhe është Danimarka më kërkuese por rezultati mbetet i bardhë 0-0. Në minutat shtesë VAR sinjalizon për një prekje me dorë në zonën e tunizianëve por arbitri Ramos nuk ka qenë i këtij mendimi. Një ndeshje frustruese për Danimarkën të cilët ndoshta nuk e prisnin këtë vendosje shumë të mirë të tunizianëve në fushë.
Në ndeshjet e rradhës danezët do të kenë përballë “gjelat” e Francës ndërsa tunizianët do të sfidojnë Australinë.
Meksikë – Poloni
Ashtu siç ishte parashikuar nga shumica e tifozëve dhe ekspertëve të futbollit ndeshja midis Meksikës dhe Polonisë rezultoi të ishte një ndeshje e ekuilibruar me meksikanët të cilët u treguan disi më të guximshëm por pa mundur të thyejnë pragmatizmin e polakëve.
Pjesa e parë nuk ka dhuruar shumë emocione me përjashtim të dy-tre shkëndijave të cilat Hirving Lozano u mundua ti japë “zjarr” por pa sukses. Nga ana e polakëve ylli i tyre, Robert Lewandowski ishte disi në hije, diktuar dhe nga markimi i fortë i meksikanëve në dëm të tij.



Pjesa e dytë fillon me po të njëjtin ekuilibër i cili rrezikon të prishet në minutën e 58’, kur në një vertikalizim nga të rrallët për polakët Lewandowski mbahet brenda në zonë nga Hector Moreno. Pas konsultimit me monitorin e VAR, gjyqtari kryesor Chris Beath akordon penallti për Poloninë dhe karton të verdhë për mbrojtësin Moreno. Pikërisht në këtë moment, “top playeri” polak humbet 11-metërshin pas një pritjeje fantastike të Ochoa, i cili vazhdon të jetë gjithmonë pika e referimit për Meksikën në Kupën e Botës.
Kështu ndeshja përfundon me rezultatin e bardhë 0-0 duke lënë në krye të Grupit C Arabinë Saudite.
Francë – Australi
Kampionët e Botës në fuqi e vunë në diskutim deri në minutën 9’ fitoren e kësaj ndeshjeje kur Craig Goodwin do të mposhte Hugo Lloris pas një aksioni të bukur nga ana e australianëve. Më pas e gjithë ndeshja ka folur frëngjisht dhe “gjelat kanë çukitur 4 herë” australianët duke mos i lënë të ëndërrojnë për një rezultat pozitiv.
Kështu në minutën e 9’ të pjesës së parë Craig Goodwin shënon duke i dhënë avantazhin Australisë, avantazh që do të zgjasë deri në minutën e 27’ ku Adrien Rabiot do të shërbehet nga anësori i Milanit Theo Hernandez duke kthyer barazpeshën. 5 minuta më vonë eshtë rradha e një tjetër milanisti për tu përfshirë në manovrën sulmuese, Olivier Giroud shënon për ti dhënë avantazhin Francës dhe për ti derguar në dhomat e zhveshjes me rezultatin 2-1.



Pjesa e dytë rifillon me komandën e francezëve të cilët shfrytëzojnë cilësitë në sulm dhe në minutën e 68’ Ousmane Dembele kroson ëmbël nga e djathta për të gjetur të zakonshmin Kylian Mbappe i cili e dërgon topin në rrjetë me një goditje me kokë. Do të kalonin 3 minuta dhe në të 71’ është rradha e Mbappe për të krosuar në zone dhe për ti dhënë mundesinë Olivier Giroud për të shënuar golin e katërt të ndeshjes dhe të dytin personal. Giroud me këtë dy golësh ngjitet në kuotën e 51 golave duke u bërë lojtari që ka shënuar më shumë gola për kombëtaren francize së bashku me Thierry Henry.
Ndiqni më poshtë tabelën me rezultatet e ditës së sotme:

- Sot seancë plenare në Kuvend, projekt-buxheti 2026 do të shqyrtohet tek “Ekonomia” - 06/11/2025
- Demokrati Zohran Mamdani zgjidhet kryebashkiak i Nju Jorkut, i pari mysliman në histori - 05/11/2025
- Progres raporti i KE, Rama ndan deklaratën e Marta Kos: Do të bëjmë gjithçka për t’u ulur si të barabartë në tryezën e BE - 04/11/2025