Prokuroria e Milanos ka kërkuar dënimin e Chiara Ferragnit me një vit e tetë muaj burg për mashtrimit, në kontekstin e procedurave paraprake në lidhje me reklamat mashtruese për ëmbëlsirën tradicionale italiane “Pandoro” dhe vezët e Pashkëve “Dolci Preziosi”, të cilat u prezantuan si produkte të lidhura me veprimtari bamirësie.
Gjatë seancës dëgjimore para gjykatësit Ilio Mannucci Pacini, prokuroria argumentoi se fushatat promovuese për këto produkte midis viteve 2021 dhe 2022, të cilat u kryen përmes kompanisë së influencueses, u paraqitën si të lidhura me dy nisma të veçanta bamirësie, pa e reflektuar plotësisht realitetin.
Së bashku me Ferragnin, zëvendësprokurori Eugenio Fusco kërkoi të njëjtin dënim për bashkëpunëtorin e saj të ngushtë, Fabio Maria D’Amato. Për Francesco Cannillo, president i Cerealitalia, u kërkua një dënim me një vit.
Seanca e radhës është caktuar për 5 dhjetor. Sipas mediave italiane, në total, midis gjobave të Autoritetit Italian të Konkurrencës dhe kërkesave për dëmshpërblim, Chiara Ferragni ka paguar tashmë 3.4 milionë euro, përpara se gjykata të hynte në fazën thelbësore të gjykimit.
Të tre të pandehurit kanë kërkuar t’i nënshtrohen procedurës së përshpejtuar të gjykimit, e cila parashikon një ulje të dënimit me një të tretën e tij. Dënimi total mund të ulet gjithashtu për shkak të dëmeve të paguara tashmë dhe faktit se të gjithë nuk kanë precedentë penalë.
Chiara Ferragni ishte e pranishme në sallën e gjyqit sot në mëngjes, pasi kishte hyrë para hapjes zyrtare për të shmangur mbërritjen e fotografëve.
Në një deklaratë të shkurtër, ajo theksoi: “Gjithçka që bëmë, e bëmë me mirëbesim.”
Çështja
Sipas prokurorisë, influencuesja dyshohet se i ka mashtruar konsumatorët dhe përmes dy fushatave komerciale, ka marrë një përfitim të paligjshëm prej afërsisht 2.2 milionë eurosh, si dhe përfitime të pallogaritshme “nga projeksioni i imazhit të saj”.
- “U pajtuam në parim”, Kurti dhe Abdixhiku pas takimit: Ka vullnet për marrëveshje për presidentin e ri - 18/08/2026
- Kreshnik Spahiu: A do protestojmë për vdekjen e turistit të huaj apo vetëm për ngordhjen e zogjve? - 18/08/2026
- “Ana nuk është vetëm”- I mbijetoi zjarrit në hotelin e Vlorës, Koçiu reagon pas nisjes së 25-vjeçares në Turqi: Kurimi me shpenzimet e Qeverisë ! - 18/08/2026