Fatos Mahmutaj, gazetari i plagosur në ngjarjen e 21 janarit 2011, beson se hipokrizia e politikës dhe, sipas tij, dashakeqësia e SPAK-ut do të vazhdojnë ta mbajnë të zvarritur dosjen e 21 janarit, deri në momentin kur vepra rrezikon të parashkruhet.
Pesëmbëdhjetë vite pas asaj dite, zbardhja e plotë e ngjarjes ende mungon, edhe pse siç thekson Mahmutaj, gjithçka është e dokumentuar: detajet, momentet, të shtënat, viktimat, janë të fiksuara në qindra objektiva kamerash të mediave shqiptare dhe ndërkombëtare. Megjithatë, drejtësia vijon të sillet sikur e vërteta është ende e paqartë.
Mahmutaj flet për hipokrizinë e politikës, e cila çdo vit mban homazhe për viktimat e 21 janarit, por shmang përgjegjësinë për autorët. Për të, fajtorin kryesor të kësaj vrasjeje shtetërore e ka me emër dhe mbiemër: ish-kryeministrin Sali Berisha.
Ai shmang dimensionin personal të kësaj historie. Nuk ndalet te plaga që mori atë ditë, te plumbi që i mbeti në trup teksa ishte në krye të detyrës si gazetar. Për Mahmutajn, plagë më e rëndë se ajo fizike mbetet zhgënjimi i thellë nga mënyra se si politika dhe drejtësia shqiptare e kanë trajtuar 21 janarin.
Duke e cilësuar Berishën si përgjegjësin kryesor të vrasjeve në bulevard, Mahmutaj rikthen në kujtesë momentet kur Gardistët qëlluan mbi turmën. Sipas tij, të shtënat nuk ishin spontane, por të njëkohshme, të koordinuara dhe të bazuara në urdhrin që erdhi nga kryeministri i kohës. Ai ka parë me sytë e tij gardistët që qëlluan mbi protestuesit, përfshirë edhe atë që hapi zjarr në drejtim të tij.
Për Mahmutajn, 21 janari është një nga ngjarjet më të turpshme të shtetit shqiptar, ku politika dhe drejtësia tallën dhe vijojnë të tallen me familjarët e viktimave. Një ngjarje që, sipas tij, me shumë gjasa po shtyhet qëllimisht drejt parashkrimit, për t’u mbyllur pa fajtorë.
- Fatos Mahmutaj: 21 janari po shtyhet qëllimisht drejt parashkrimit, për t’u mbyllur pa fajtorë (VIDEO) - 21/01/2026
- Japonia rindez centralin bërthamor më të madh në botë, 15 vjet pas katastrofës së Fukushimës - 21/01/2026
- Trump rrit presionin për Groenlandën: Nëse na thoni ‘po’ do jemi mirënjohës, nëse thoni ‘jo’ do ta kujtojmë - 21/01/2026