15.5 C
Tirana
03 / 03 / 2026

Ekskluzive: Kurti pritet ta propozojë Konjufcën për president, refuzon Osmanin

Lideri i VV-së, Albin Kurti, përfundimisht është tërhequr nga përpjekje e tij për një president konsensual. Ai tashmë ka vendos për një kandidat partiak.

Gazeta Nacionale ka mësuar se kryeministri Kurti ka vendosur që ta propozojë Glauk Konjufcën si kandidat për president të Republikës së Kosovës.

Gazeta ka mësuar se Albin Kurti ketë ide e ka prezantuar sot në takimin me liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Madje, sipas burimit, Kurti në këtë takim e ka kërkuar edhe mbështetjen e Lumit Abdixhikut.

Partia më e madhe në vend tashmë i ka mbledhur 30 nënshkrimet e nevojshme për të plotësuar kushtin që të propozohet në Kuvend për president të Kosovës.

Seanca për zgjedhjen e presidentit pritet të thirret nesër ose pasnesër.

Në këtë mënyrë, kryeministri Albin Kurti ka treguar se nuk e do më Vjosa Osmanin presidente të Kosovës.

Gazeta Nacionale ka mësuar se pse Kurti ka vendosur për Konjufcën dhe jo për Osmanin.

Burimet e gazetës brenda VV-së kanë bërë me dije se Albin Kurti është duke llogaritur në disa vota të deputetëve të PDK-së.

Ndërkohë, Nacionale ka kontaktuar një zyrtar të lartë të PDK-së, i cili e ka mohuar në mënyrë kategorike një gjë të tillë.

Zyrtari në fjalë i ka thënë gaztës se PDK-ja ka qëndrim të qartë për këtë çështje. “Askush prej deputetëve të PDK-së nuk do të votojë një kandidat të VV-së për president”, ka thënë ky zyrtar në kushte anonimiteti.

Lideri i VV-së, Albin Kurti, ka zhvilluar dy raunde të bisedimeve për këtë çështje me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhku.

Me këtë të fundit sot ka zhvilluar edhe një takim të tretë të papritur.

As dy takimet e para dhe as ky sot nuk kanë sjell ndonjë rezultat për të gjetur një kandidat konsesual.

Pas takimit me Abdixhikun, Kurti nuk ka dhënë shumë detaje për gazetarët “Ende nuk kemi zgjidhje. Nëse bëhet, do të iu njoftojmë”, ka thënë shkurt Kurti.

I vetmi kandidat konsensual që është përmendur nga VV-ja ka qenë Murat Jashari, i cili e ka refuzuar ofertën.

Dita e enjte, 5 marsi, është data e fundit kur Kosova mund ta zgjedhë presidentin.

Në të kundërtën, atëherë afati shkelet, dhe çdo zgjedhje e një presidenti pas kësaj date, do të ishte shkelje e Kushtetutës, e si rezultat, zgjedhje të reja.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x