20.5 C
Tirana
19 / 04 / 2025

E premtja e zezë/ Besimtarët ortodoksë dhe katolikë përkujtuan kryqëzimin e Krishtit

Besimtarë ortodoksë dhe katolikë në të gjithë vendin përkujtuan të Premten e Zezë me ceremoni të veçanta: Procesionin e Epitafit dhe Udhën e Kryqit.

Në të gjithë vendin, besimtarët u bashkuan në lutje dhe reflektim në pritje të festës së Pashkëve, që këtë vit përkon të dielën e 20 prillit edhe për besimtarët ortodoksë, por edhe ata katolikë.

Besimtarët ortodoksë në Shqipëri kanë shënuar të Premten e Madhe përmes një rituali që kujton Krishtin në kryq.

Shërbesa e së Premtes së Madhe, për besimtarët ortodoksë u kryesua nga Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Joani, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.

Në kryeqytet, shërbesa filloi në orën 18:00 dhe u zhvillua me pjesëmarrjen e klerikëve, korit Bizantin dhe besimtarëve, në një atmosferë përulësie e përqendrimi shpirtëror.

Ndërsa besimtarët katolikë u mblodhën në sheshin “Nënë Tereza”, ku kremtuan Udhën e Kryqit, një rit që përjeton vuajtjet dhe rrugën e Krishtit drejt kryqëzimit.

E Premtja e Madhe është momenti kur Kisha qëndron me frymë të ndalur përpara misterit të Kryqit, varrimit dhe zbritjes në Had të Krishtit. Të gjitha pësimet, vajtimet, kryqëzimi dhe varrosja e Krishtit shihen e përjetohen nën dritën e Ngjalljes.

Dhimbja e së Premtes është përgatitje për gëzimin e Pashkës.

Një nga momentet më të rëndësishme të Pashkëve, ceremonia e epitafit u zhvillua sot edhe në qytetet e tjera të vendit.

Në këtë ditë, në të gjitha kishat bëhen ceremoni shumë solemne: nuk festohet asnjë meshë e zakonshme, altarët janë të zhveshur, kambanat nuk bien, dhe atmosfera është e zymtë dhe e heshtur.

Në ritin katolik bëhet Udha e Kryqit për të përjetuar momentet e fundit të Krishtit, ndërsa në ritin ortodoks zhvillohet procesioni i Epitafit, që përfaqëson varrimin simbolik të tij. Në të gjitha traditat e krishtera, e Premtja e Zezë është një nga ditët më të shenjta dhe më të trishta të vitit.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x