Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ditën e sotme është paraqitur në SPAK në zbatim të masës “detyrim paraqitje” lidhur me hetimet për dosjen “Partizani”.
Pasi doli nga ambientet e Strukturës Antikorrupsion, Berisha, ashtu si herët e tjera lexoi mesazhin që i la Altin Dumanit, ish-kreut të SPAK.
Berisha e akuzon Dumanin se ka amnistuar krimin zgjedhor dhe thotë se drejtësia vonon, por nuk harron.
Berisha: Pojës së Skapit dhe avokatit të Irenës me 5 mbiemra, njeriut që amnistoi krimin zgjedhor, si mercenar i partisë-shtet, i rikujtoj se drejtësia vonon, por nuk harron. Kush e do këtë ta ketë në arkivën e vet të denoncimit të një delinkuenti të narko-shtetit shqiptar.
Sali Berisha akuzohet nga Prokuroria e Posaçme se vuri aparatin shtetëror në funksion të përfitimeve të dhëndrit të tij përmes privatizimit të ish-klubit sportiv Partizani.
Që nga vënia e tij nën hetim bashkë me Jamarbër Malltezin beteja e tij ligjore ka qenë e ashpër ndaj SPAK dhe dy hetuesve, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, po ashtu edhe ndaj gjyqtares që i caktoi masën e sigurisë, Irena Gjoka.
Ai e akuzon atë se ka fshehur një dënim në shtetin grek, të cilin e fakton me dëshminë e saj të penalitetit, që sipas kreut të PD, ka vulë apustile.
Tashmë dosja i është nënshtruar procesit gjyqësor, ndërsa pritet që seanca e ardhshme të jetë në datën 12 janar.