Në ditën e tretë të protestës së pedagogëve në universitetin e Korçës, protesta ka qënë e përçarë. Një gjë e tillë është pranuar edhe nga pedagogët të cilët thanë se kjo përçarje ka ardhur për shkak të frikës dhe presionit në një pjesë jo të vogël të pedagogëve.
Zëvendës dekani i Fakultetit të Edukimit Orjon Ago, tha se kjo përçarje ka ardhur si shkak i presionit të vettingut nga ana e kryeministrit Rama. Ai u ka bërë thirrje kolegëve t’i bashkohen protestës.
Në të njëjtën linjë ka qënë edhe përfaqësuesja e Sindikatës së Punonjësve të universitetit të Korçës Alba Kreka, si dhe përgjegjësja e Departamantit të Gjuhë-Letërsisë Anila Saraçi, të cilat janë shprehur se protesta është lënë në ndërgjegjen e gjithsecilit.
Deri në orën 10 mësimi ka vijuar normalisht në të katër fakultetet e këtij universiteti, ndërkohë që nga ora 10 deri në orën 12 mësimi është zhvilluar në një pjesë të departamenteve. Kjo është dita e tretë e protestës së pedagogëve në universitetin e Korçës.


