Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e cilësoi si “sulm brendainstitucional” kundër Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike mosvotimin e raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve dhe kuorumit në Parlamentin e Kosovës.
“Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot”, shkroi Kurti në Facebook.
Deputetët e partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK, votuan kundër raportit, ndërkohë Lista Serbe abstenoi.
Përfaqësuesit e opozitës vunë në dyshim dorëheqjen e Kurtit nga posti i kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të Qeverisë që janë zgjedhur deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit.