Nga Auron Tare
Ky është një dyqan normal në një nga lagjet historike të Gjirokastrës.
E pyeta të zotin cfarë prodhimesh ka nga fshati?
Po ja më tregoi me gisht shikoji vetë – Përveç spinaqit asgjë nuk është e jona. Janë bërë perimet si turistë.
Hudhrat nga Kina
Patllixhanet nga Bullgaria
Portokalle Greke
Gështenjat Greke
Arrat greke
Kumbullat e mëdha italiane, të voglat maqedonase.
Pjeshkët Italiane
Shegët Turke
Aaa prit – i thashë kur mbaroi së numëruari, patatet dhe qepët janë tonat.
Jo – më tha vijnë nga Gjermania
Nuk ka mundësi i thashë – Kolonja është mbushur me patate dhe qepë.
Jo jo gjermane i ke më tha. Vijnë më lirë se tonat. Zotëria që shiste në dyqan dukshëm një person i lexuar me një psherëtimë të gjatë vazhdoi më tej.
E di kur ka marrë ferra uratën në këtë vendin tonë? Kur fshatarët vijnë këtu dhe blejnë një thes me patate gjermane apo një varg qepësh. E kupton ku jemi katandisur? Të vijë fshatari tek unë të blejë patate nga Gjermania.
Jemi më keq se në kohën e dikurshme kur vinin fshatarët dhe blinin bukë gruri në qytet.
Në fakt përtej dëshpërimit të një qytetari normal në një qytet si Gjirokastra një situatë e tille në bujqësi është tejet alarmante.
Ne sot jemi një shoqëri që jo vetëm nuk prodhojmë më asgjë në fushën e bujqësisë, por konsumojmë në përgjithësi produkte të ardhura nga jashtë.
Tregu ynë i mbushur me prodhime që shkëlqejnë nga dylli dhe kimikatet që kanë për t’i rezistuar kohës, tregojnë degradimin e bujqësisë e cila përtej rrezikut të madh shëndetësor ka një kosto shumë të lartë ekonomike. Valuta e futur tek ne nga turizmi në fakt del jashtë për të blerë prodhimet ushqimore të cilat futen në treg për të ushqyer numrin e turistëve që vijnë në vend.
Ndërkohë një bujqësi e fortë jo vetëm do të siguronte një kualitet në prodhimet tona të cilat do të mbështesnin të gjithë sektorin e turizmit duke mbajtur valutën në vend.
Sigurisht një koncept shumë i thjeshtë për t’u kuptuar por i pa administruar deri më sot.
Përtej mburrjes me numrin e lartë të turistëve që vizitojnë vendin, askush nuk flet dhe nuk mban përgjegjësi se përse sot bujqësia jonë nuk prodhon dot as hudhra. Të cilat vijnë nga Kina natyrisht.