35.5 C
Tirana
01 / 07 / 2025

Brenda dhe jashtë realitetit

Nga Ledio Alite

Pasdite vonë, në sfondin e muzikës së Kafe “Darlin” dëgjohet zëri i dashur i Celentanos dhe kënga e tij: “I want to know (dua të di), I want to know (dua të di). Si ia dalin njerëzit të konceptojnë, se mund të jetojnë në shtëpitë e sotme? Të kuadruar si açuge, lindin fëmijë me rrudha.”.

Adriano! Që më herët duhet të kishe biseduar me një zonjë, që quhej Hannah Arendt.

Një filozofe e famshme amerikane e cila përpunon një këndvështrim mbi modelin e shoqërisë së viteve ’30 të shekullit të kaluar. Në punimet e saj mbi propagandën e regjimit i qëndron idesë se ajo përfaqëson një teknikë “ikjeje nga realiteti”. Nevoja e masave për “ikje nga realiteti” përputhet me teknikën manipuluese të një regjimi për ta “fshehur realitetin”. Në kushtet kur këto dy prirje përputhen me njëra-tjetrën atëherë vihet re një mbështetje e lëvizjeve totalitare nga ana e shtresave të caktuara të shoqërisë. Hannah Arendt thekson se pikërisht prej këtij fakti: “Regjimet, aq kohë sa ato janë në pushtet, edhe liderët sa kohë që ata zotërojnë pushtetin, “komandojnë” dhe qëndrojnë “deri në fund” në fuqi me mbështetjen e masave.”.

Analiza e Arendt mbështetet te arsyetimi i saj për shoqërinë e masave. Në njëfarë mënyre klasa dhe grupe të tëra shoqërore nivelohen dhe individët që i përbëjnë ato me përqëndrimin në kryeqytet dhe qytete të mëdha, bëjnë pjesë në një masë gjithnjë e më të gjerë popullsie urbane ose peri-urbane, krejt të paorientuar. Në përbërje të tyre ka individë anonimë, me statuse sociale të standardizuara dhe që nuk kanë më lidhje me ndonjë grup social me interesa të veçanta. Nuk i përkasin më ndonjë klase të caktuar. Askush nuk i di më interesat e veta të vërteta. Tërësia e individëve të ndodhur brenda një mase të gjerë popullsie nuk e ka më aftësinë të dijë se çfarë përfaqëson. Njeriu individual ecën andej nga e shtyjnë erërat e propagandës pa pasur asnjë mundësi të analizojë nëse ato përputhen ose jo me interesat e tij. Madje as ai vetë nuk i di interesat e veta. 

Masat, shkruante Hannah Arendt, “nuk janë të lidhura së bashku nga ato interesa të përbashkëta që t’i bëjnë ato thelbësore për mbijetësën e tyre si grup. Ato nuk besojnë në asgjë që shihet me sy, as në realitetin e përvojës së tyre; ato nuk u besojnë syve dhe veshëve të tyre, por vetëm imagjinatës së tyre, e cila mund të sundohet nga çdo gjë që në vetvete është universale dhe e qëndrueshme. Ajo që i bind ato nuk janë faktet, madje as faktet e shpikura, por vetëm qendrueshmëria e regjimit ku ato supozohet se bëjnë pjesë.”.

Teksa kam në mendje këto dy personazhe të nderuar dhe mesazhet e tyre, them me vete, sa e prapambetur duhet të jetë bota… Ndoshta kjo është dhe arsyeja pse është rritur kaq shumë numri i turistëve në Tiranë. Ndoshta, të gjithë duan të dinë si mund të jetohet në këtë lumturi që jetojnë njerëzit këtu. Në cilin vend njerëzit s’duan t’ia dinë as për pozitën, as për opozitën, as për reforma e as për shumëforma? Madje, jo vetëm që nuk binden e nuk e konsiderojnë veten nën regjim, por përkundrazi, shajnë hapur fare këdo që u vjen. Dhe kjo është e vërtetë. Një vend ku asgjë nuk merret më seriozisht, madje as shfaqjet. Ndoshta ky është një këndvështrim interesant. Ja kështu, lisho fare. Lakuriq intelektualisht. Me siguri ajo çka turistët fluturojnë të mendojnë kur vizitojnë Tiranën është: “Qenkemi lodhur kot, ne nuk e paskemi ditur që qenkemi të lumtur! Të luftojmë ne për atë që besojmë? Haha! Po këta qenkan më të zgjuar se ne. Ha, pi, puno, festo, ndërto bukur, ndërto lart, martohu, ngjitu prapë lart, mos e prish gjumin, edhe një herë lart e më lart, dhe të gjitha këto në kurriz të njeri-tjetrit. Llahtar fare! Stratosferë! Po ne pse e kishim marrë kaq seriozisht? Ngjitu ore lart!”. 

Natyrshëm ndër mendime, ka dhe ndërkallje. Në mos jemi nën regjim, në mos jemi indiferent e të pashpresë, çfarë jemi? Dhe në mos jemi jashtë realitetit, brenda kujt realitet jemi? 

I want to know.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x