“Dëshiroj t’iu kërkoj një lutje speciale për papën Benedikt, që po mbështet në heshtje Kishën, është shumë i sëmurë”. Këto ishin fjalët e sotme të Papa Françeskut gjatë seancës dëgjimore që ai kryeson në mënyrë periodike në Vatikan, dhe që vë dyshime mbi gjendjen e paraardhësit të tij gjerman.
Pas deklaratave të kreut të Kishës katolike, ishte vetë zyra e Vatikanit që pohoi se gjendja e 93-vjeçarit Joseph Ratzinger, “është përkeqësuar së tepërmi në orët e fundit. Situata për momentin është nën kontroll por mjekët po monitorojnë zhvillimet”.
Papa Bergoglio pas angazhimeve formale ka vizituar vetë gjermanin, që nga viti 2013, kur vendosi në mënyrë të bujshme të jepte dorëheqjen nga një nga postet më të fuqishme të planetit, jeton brenda Vatikanit në manastirin Mater Ecclesiae, së bashku me sekretarin personal Georg Gaenswein dhe disa murgesha që i shërbejnë.
Edhe pse publikisht i tërhequr, Benedikti, që para se të emërohej në krye të Vatikanit ka qenë një nga personalitet më të shquara të kishës dhe profesor teologjie me famë ndërkombëtare, ka vijuar gjatë viteve të pres vizita nga personazhe të rëndësishme, shpesh herë edhe nga Francesku, me të cilin ka një dialog të hapur.