24.5 C
Tirana
05 / 10 / 2024

Bashkëbisedimi me qytetarët/Pse nuk lini drejtësinë të merret dhe me këta pasanikët e kullave..

Pyetjet nga rrjetet sociale: Kur një njeri i thjesht ndërton pa leje një mur përballet me drejtësinë, siç e thotë ligji. Pse nuk lini drejtësinë të merret dhe me këta pasanikët e kullave por papritur i amnistoni këta oligarkët?

Kryeministri Edi Rama: Kur vjen puna tek drejtësia, unë dhe ti dhe gjithë shqiptarët që kërkojnë drejtësi jemi në një anë. Nuk jemi në anë të ndryshme dhe është shumë e vërtetë kjo që thua e që e thonë shumë dhe e kam thënë dhe unë disa herë. Edhe në fjalën time përpara trupës drejtuese të Policisë së Shtetit e përsërita, është e tmerrshme. Pse ndodh kjo? Sepse këta më të pasurit, me këtë drejtësi i zgjidhin punët. Ky është problemi. Nuk jam unë që nuk lejoj drejtësinë të merret me ta por është drejtësia që nuk më lejon mua, nuk lejon ty, ne, qeverinë tonë që ti bëjë gjërat deri në fund, se në fund fjalën e ka drejtësia.

Flitet shumë për Policinë e Shtetit dhe shumë mirë që flitet por nëse në këtë vend gjykatat do të bënin sa policia e shtetit, ky vend sot falë kësaj Policie Shteti me të gjitha të metat që ka, do ishte shumë herë më i përparuar se sa është në raport me aty ku e nisëm. Sa janë rastet që policia e Shtetit i çon në gjykatë fajtorët e sa fajtorë marrin bekimin e gjykatës për tu rikthyer në jetën e përditshme në vend që të shkojnë aty ku e kanë vendin e për të përsëritur të njëjtin faj? Është shumë e vërtetë, absolutisht, që një rob i thjeshtë madje dhe një burrë i vjetër apo dhe një grua e vjetër mund të përfundojnë në duart e ligjit për një mur thua ti. Për dritare u kap si shkelës i ligjit Bojken Lako dhe ndërkohë dikush që ndërton një kat, dy kate, tre kate pa leje, nuk përfundon. Pse? Ta them unë, sepse tek drejtësia e kanë kollaj. Keni dëgjuar shumë përralla për inceneratorët. Shumë përralla. Nuk jua ka thënë kush, mund ta kemi thënë ne por gënjeshtra bën xhiron e botës ndërkohë që e vërteta akoma nuk ka ngritur pantallonat thotë populli, lidhur me ato TVSH-të e paguara ose devijuara, ose me ata të vdekurit që figuronin. Atë skemë e kanë zbuluar Tatimet e Republikës së Shqipërisë dhe ajo skemë është denoncuar në Prokurori dhe për atë skemë Prokuroria nuk ka bërë asgjë për fajtorët dhe atë skemë Prokuroria e ka çuar tek nonë daja, domethënë tek këta, që pastaj me dokumentet e Prokurorisë dalin e bëjnë Prokurorin rrugëve e çorodisin miletin, ky eshët fakti.  Se flasim shumë për SPAK-un. SPAK-u është vetëm një institucion i ri i cili merret me gjëra të tjera. Merret me zyrtarët e lartë, por prokuroria e Tiranës, prokuroritë e rretheve merren me këto. Prokuroria e Tiranës, prokuroritë e rretheve në bashkëpunim me të tjerë, inspektorë dhe punonjës policie të super zellshëm kur vjen puna për të kapur njerëzit e pafuqishëm, plotësojnë dosje dhe mbushin statistika duke çuar para drejtësisë njerëz për një mur, njerëz që në fund të ditës mund të të ndërtojnë pa leje, por jo për të shitur, se këta që ndërtojnë pa leje për të shitur këta e blejnë prokurorin, këta e blejnë gjykatësin dhe përballë këtyre policia dhe qeveria është e pafuqishme.

Ky është thelbi dhe të gjitha të tjerat janë poshtërsira të njerëzve vemje, me gjak jeshil që dalin ne televizor me sytë gjak dhe që nuk lënë gjë pa thënë për mua, nuk lënë gjë pa thënë për ne, ndërkohë që ne jemi absolutisht të kritikueshëm po, por një ves nuk e kemi, nuk i bëjmë gabimet me qëllim dhe nuk përdorim pushtetin për ato gjëra për të cilat akuzohemi. Nëse unë do të doja të bëja pazare me këta që quhen oligarkë të pasur, quajini si të doni, do e kisha shumë të thjeshtë dhe VKM-ja vjen si nevojë për të kapërcyer këtë ngërç të krijuar me vite. Ligji është aty me vite. Merreni shikoni sa denoncime janë bërë në prokurori për të pasurit dhe hajde më tregoni sa të pasur janë vendosur përpara ligjit për ndërtime pa leje, për evazion fiskal, merrini shikojeni. Prokurorët bëjnë pazare me ta, kjo është e vërteta. Gjykatësit bëjnë pazare me ta, por ata as mund të përfundojnë fare në gjykatë xhanëm dhe pastaj ato dosje prokurorët i bëjnë tregti me politikën edhe me median. Kjo është e vërteta. Dhe vendimi që kemi marrë nuk i largon duart e drejtësisë prej tyre, drejtësia ka punën e vet, një vendim qeverie nuk amniston dot asgjë, askënd. Një vendim qeverie nuk heq dot nga duart e drejtësisë dikë, por vendimi i qeverisë bën këtë; që ata që kanë ndërtuar këto kate do vënë mend ata dhe do vënë mend të gjithë sepse nëse ti e ndërton një kat pa leje sepse arrin të korruptosh një inspektor, arrin t’ia mbyllesh sytë një polici, arrin ta devijosh sistemin dhe e ke gjykatësin dhe prokurorin në xhep, ti nuk të del llogaria që pastaj atë kat të duhet ose ta blesh me çmimin real, jo me çmimin që deklarojnë këta. Pra, nëse ti te sheshi “Skënderbej” ose në qendër të Tiranës do ndërtosh 1 metër katror pa leje që pastaj do e blesh 5 mijë euro plus do paguash gjobën, plus ke dhe nga mbrapa drejtësinë nëqoftëse drejtësia do të vijë nga mbrapa se këtë nuk e vendos unë, nuk e vendos qeveria atëherë ti nuk ke pse ndërton më. Kjo është e vërteta, shumë e thjeshtë. Por të vërtetën është gjithmonë e më e vështirë për ta marrë vesh nëse nuk e kërkon gjithmonë e me durim në këtë llum ku çfarë nuk vjen dhe çfarë nuk dëgjojmë. 

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x