29.5 C
Tirana
18 / 08 / 2025

ARTI QË VJEN PREJ FERRIT

-Një sprovë modeste për të “lexuar” pikturën e Arben Theodhosit.

Nuk është krejt pa shkak që sa herë shoh punët e Arben Theodhosit, ndërmend më vjen gjithmonë e pothuaj përmes përfytyrimit në të njejtën trajtë, “Ferri” i Dantes.

Nuk e di në ka ndodhur që të njejtën gjendje ta ketë përjetuar edhe vetë Beni (kështu, Beni e kam njohur që prej ditës së parë këtu e 49 vjet të shkuar, atë verë të vitit 1976 në Kurbnesh, ku ai qe dërguar i internuar familjarisht e unë po familjarisht për të jetuar në atë qytezë minatorësh), por edhe pse nuk e kam pyetur ndonjëherë, jam i bindur se pyetjen që Danteja i bëri mësuesit të vet, Virgjilit; – “ç`është kjo e zeza rrugë?”, për të marrë prej tij përgjigjen “- ky është vendi ku do të shohësh mjerimin!” , ia ka bërë me mijëra herë vetes.

Ishte fare i ri, ende pa i kryer studimet në Institutin e Lartë të Arteve ku studionte në degën e pikturës, kur e rrëmbyen për ta futur atje ku ishte “bota tjetër”.

Babanë (Koço Theodhosi, ishte ministër i industrisë dhe minierave dhe anëtar i Byrosë Politike), ia vranë.
Por, kaq nuk mjaftoi që të ngopej babëzia e vrasësve.
Duheshin vrarë të gjithë; bashkëshortja e Koços e nëna e Benit, zonja e mirë Mirandë, për të cilën kam shkruar më parë; e bija e tyre dhe motra e Benit, Nina arkitekte e talentuar; dhe i biri, Beni vetë.
Madje, Beni qe i pari në rradhë. Ndaj e rrasën “te e zeza rrugë”. Që ëndërra e tij të mos kishte dritë, të mos kishte shpresë.

Përballë rrethi i parë i ferrit.
Askush nuk duhej t’i fliste.
Në punë, punën më të rëndë. Diferencimi klasor, lufta e klasave në plan të parë për armikun e klasës.
Mandej, apeli. Paraqitja tre herë në ditë në vendnumërimin e përditshëm. Një ritual poshtërues, i pandryshueshëm.

Miniera qe një vend pune për të gjithë. Dhe në të punonin qytetarë të zakonshëm. Edhe komunistë e prej tyre edhe të dashuruar me sistemin, të përkëdhelurit e tij.
Pra, në minierë nuk punonte vetëm Beni dhe të ngjashmit me të, në kuptimin e diferencimit klasor.
Por, ndryshimi ishte se Beni nuk zgjodhi.
Atë e zgjodhën, e dënuan dhe e çuan në minierë që ai ta kuptonte se jeta e tij do të ishtë e errët si galeritë ku vërtitej niveleve duke shtyrë vagonët. Dhe për të plotësuar tablonë, edhe pasi dilte nga miniera, horizonti i tij qe prapë një galeri. Një galeri tjetër, po aq e në mos edhe më e errët.
Rrathët e ferrit vinin varg, njëri pas tjetrit.

Por le të kthehemi tek piktura e të “lexojmë” përmes saj, artin e Benit që na vjen prej ferrit.

Piktura e Benit në tërësinë e vet është metafizike.
Pavarësisht teknikave të përdorura apo motivit të zgjedhur për t’u trajtuar, raporti i dritës me hijen, është në thelb kushtëzimi mes dritës si burimi i pashtershëm i energjisë, dhe hijes si dëshmi e ekzistencës së materies që na rrethon. Ky raport përcakton edhe për vetë piktorin ekzistencën e tij në gjirin e natyrës.
Drita dhe hija, si një raport apo marrëdhënie e ndërvarur kontrastesh të pandara mes tyre, përcakton edhe hapësirën tonale dhe koloritin e vetë veprës, e cila edhe pse në shumë punë kushtëzohet prej ferrit ku e mbyllën piktorin, vjen e ripërmasohet në universin e tij krijues, proporcionalisht me universin e gjithësisë ku piktori e gjen veten.
“Destinacioni ishte miniera, një variant i Ferrit, – ka thënë dikur vetë piktori, por rrugëtimi në mes të pyllit gjatë natës së turnit të tretë, ndonjëherë të dhuronte disa kënaqësi që shteti i diktatorëve, i politikanëve dhe i policëve nuk do të arrinte kurrë t’i pikaste e t’i ndalonte – as në të shkuarën, as në të ardhmen! Ishte një mesnatë e rrallë”.

Njësoj si raporti i dritës me hijen, na vjen përmes veprës së Ben Theodhosit edhe raporti i të shkuarës me të ardhmen, i të moralshmes me të pamoralshmen, i të ndergjegjshmes me të pandergjegjshmen, i të keqes me të mirën. Kjo e bën veprën e tij universale për nga mesazhi, por edhe unike për nga vlera artistike që mbart dhe kontributet që i jep artit tonë pamor në tërësi.
Ai e ka thënë vetë se “Në një farë mënyre edhe vuajtja është një nga format kryesore të ndriçimit”.
Arben Theodhosi ia ka dalë ta dominojë vuajtjen.

Piktori nuk është vetëm një vëzhgues apo soditës i botës ku gjendet, qoftë kjo një galeri e errët miniere apo qielli plot i një mesnate të rrallë.
Ai jeton duke e ndjerë gjithë atë realitet rreth vetes dhe përmes përjetimit artistik na jep me një gjuhe krejt të veçantë peizazhe, portrete, gravura apo në tërësi kompozime ikonike, ku metafizika si koncept filozofik vërehet dallueshëm gjithkund.

Pa pretenduar që të bëj një analizë të detajuar e profesionale të gjithë krijimtarisë së Arben Theodhosit, ç’ka e kam të pamundur pasi nuk është as profesioni im, në tërësinë e vet e brenda kohezionit krejt të dallueshëm, një pjesë e krijimtarisë së tij dhe që për mua përbën fazën e parë të saj, atë që lidhet me përjetimet në kohën e internimit, dëbimit, përgjimit dhe punës në minierë, ajo dominohet nga epirizmi. Kjo cilësi vjen e bëhet me periferike me kalimin e kohës, për t’u veçantuar në fazën e konsolidimit dhe të pjekurisë krijuese si krijimtari më racionale.

Edhe pse jam përpjekur të gjej pikëtakimi me vepra të krijuesve, sidomos të piktorëve të tjerë që janë gjendur në të njejtat kushte si ato të ferrit danteskt ku u detyrua të punojë Beni, ( përshembull vepra e Ali Osekut apo Maks Velos etj.), kam vërejtur në fakt qasje krejt të ndryshme.
Kjo e bën veprën e Arben Thodhosit, më shumë se të veçantë, një pasuri të vyer për artin tonë kombëtar në tërësi dhe për artin pamor në veçanti.
Jo prej faktit se është arti që na vjen prej ferrit, po për mesazhin e madh që përcjell, përmes një gjuhe artistike të përkorë në pamje të parë, por me shumë intensitet, dinamikë dhe mjeshtëri.
Beni dhe arti i tij ia dolën ta sfidojnë Cerberus-in. Ia dolën ta sfidojnë dhe të fitojnë.

(Në foto: një punët e Benit, pjesë e koleksionit tim privat dhe dedikimi i tij nga pas, dhuruar në Athinë, ku e takova rastësisht në lagjen Plaka, pranë Akropolit, në nëntor 1998).

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x